Shqipëria Postuar më 27 Gusht 2025, 10:51

Më shumë punëtorë nga Ukraina në Shqipëri - Paga më e lartë se në vendin e tyre, motiv kryesor për të ardhur

Nga Hamit Yzeiraj

Më shumë punëtorë nga Ukraina në Shqipëri - Paga

Shtetas ukrainas që edhe për shkak të luftës, apo individë nga vendet aziatike si Bangladeshi apo India, që për shkak edhe të nivelit të pagave zgjedhin që një pjesë e tyre të vijnë të punojnë në Shqipëri.

Kush në ndërtim e kush në sektorin e turizmit si baret dhe restorantet.

“Pjesa më e madhe po vijnë nga Ukraina dhe Bangladeshi, por kemi edhe një pjesë nga India. Pjesa e pagës është e kënaqshme për këta individë dhe i kemi ndihmuar normalisht edhe me vizën e punës, sepse në këtë vend burokracitë ekzistojnë dhe procedura për t’u pajisur me një të tillë është pak e gjatë” – shprehet për mikrofonin e televizionit Scan Anisa Berushi, përgjegjëse në një restorant në kryeqytet.

Sipas të dhënave nga Eurostat, paga minimale në Ukrainë është në nivelin e 180 euro, ndërsa në Indi sipas të dhënave arrin jo më shumë se 230 euro, ndërkohë që në Shqipëri është 400 euro. Zëvendësimi i stafit nga vendas në të huaj për një pjesë të këtyre restoranteve duket se ka ndikuar edhe në shërbim.

“Momentalisht jemi shumë të kënaqur me të huajt, pasi shërbimi është më cilësor, sepse sjellin edhe nga teknikat dhe traditat e vendeve nga ku këta punonjës vijnë, duke ndikuar në cilësinë e shërbimit” – tregon më tej zonja Berushi.

Sipas të dhënave nga INSTAT, përgjatë vitit të kaluar rreth 22 mijë të huaj punonin rregullisht në Shqipëri duke qenë të pajisur me një vizë pune, duke u rritur në krahasim me vitin 2023. Pjesa më e madhe prej tyre përbëhej nga meshkujt, me gati 62%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat