Analiza Postuar më 28 Korrik 2025, 11:57

Investimi në pronë në Shqipëri/ Sa kushton një apartament 120 metra katrorë, sipas zonës ku jeton

Nga Scan TV

Investimi në pronë në Shqipëri/ Sa kushton një

Çmimi i një apartamenti në Shqipëri nuk përcaktohet vetëm nga ndërtimi, cilësia apo arredimi, por më së shumti nga vendndodhja. Të dhënat më të fundit për çmimet e referencës të pronave zbulojnë një hendek të thellë mes zonave bregdetare dhe atyre të brendshme apo të largëta. “Scan Intel”, nisur nga këto të dhëna, ka përllogaritur se sa mund të arrijë vlera mesatare e një apartamenti 120 metra katrorë në pesë zonat më të shtrenjta dhe në 5 më të lirat. Në disa prej tyre, një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë mund të arrijë deri në 24 milionë lekë (240 mijë euro) sipas vlerës referuese, ndërsa në të tjera, njësoj i madh, nuk kalon 1.3 milionë lekë (rreth 13 mijë euro).

Në krye të listës renditet Sazani me një çmim referues prej 200 mijë lekë për metër katror (2,000 euro/m²). E njëjta vlerë është regjistruar edhe në zonën 13 të Durrësit, e njohur për pozicionin e saj pranë portit dhe projektit “Durrës Marina”. Një apartament 120 m² në secilën prej këtyre dy zonave kap shifrën e 24 milionë lekëve, ose 240 mijë euro.

Më tej, renditet zona 6 e Durrësit, që përfshin Gjirin e Lalzit dhe Hamallajn, një tjetër pikë e nxehtë e ndërtimit në vijën bregdetare. Çmimi referues është 140 mijë lekë për metër katror (1,400 euro/m²), i njëjtë me zonën 1 të Himarës, e cila vitet e fundit ka përjetuar rritje të jashtëzakonshme të interesit turistik dhe ndërtimor. Në këto dy zona, një apartament standard 120 m² vlerësohet me 16.8 milionë lekë, ose 168 mijë euro. Lista e zonave më të shtrenjta përmbyllet me zonën 1 të Durrësit, e pozicionuar menjëherë pas portit, ku vlera referuese është 124 mijë lekë për metër katror (1,240 euro/m²), ose 14.88 milionë lekë për një apartament, që përkthehet në 148,800 euro.

Në krahun tjetër të hartës ndodhen qytetet e vogla dhe periferike, të cilat përballen me interesa minimale investimi dhe ritme të ngadalta zhvillimi. Në Fushë-Arrëz, Shkodër, çmimi referues është vetëm 10,500 lekë për metër katror (105 euro/m²), duke e vendosur këtë qytet në fund të listës kombëtare. Një apartament 120 m² në këtë zonë vlerësohet me vetëm 1.26 milionë lekë ose 12,600 euro, sa një depo ose dyqan i vogël në zonat në afërsi të bregdetit apo të kryeqytetit. Pas saj renditen Memaliaj me 17 mijë lekë për metër katror (170 euro/m²), që për një apartament 120 m² përkthehet në 20,400 euro. Leskoviku me 23,800 lekë (238 euro/m²), ose 28,560 euro për apartamentin dhe më pas Puka dhe Skrapari, që ndajnë të njëjtën vlerë referuese prej 26,000 lekësh për metër katror (260 euro/m²), ose rreth 31,200 euro për një apartament të të njëjtës sipërfaqe.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat