Analiza Postuar më 27 Prill 2026, 10:49

Bahreini, furnizuesi kryesor i aluminit në Janar-Mars/ Shqipëria rrit varësinë nga vendet e Lindjes së Mesme në kulmin e tensioneve

Nga Xhorxhina Deda

Bahreini, furnizuesi kryesor i aluminit në Janar-Mars/ Shqipëria rrit

Tensionet në Lindjen e Mesme dhe kufizimet në Ngushticën e Hormuzit nuk po ndikojnë vetëm tregun e naftës, por edhe furnizimin me lëndë të para strategjike si alumini, një material thelbësor për ndërtimin dhe industrinë. Për vende si Shqipëria, ku alumini hyn ndër zërat e rëndësishëm të importeve, çdo pengesë në zinxhirët e furnizimit mund të përkthehet në kosto më të larta për ekonominë dhe konsumatorët.

Të dhënat tregojnë se në tre muajt e parë të vitit 2026, Shqipëria importoi rreth 11.8 mijë tonë alumin dhe artikuj prej tij, me një vlerë prej 3.87 miliardë lekësh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, importet kanë shënuar një rënie të lehtë, si në sasi ashtu edhe në vlerë.

Megjithatë, zhvillimi më i rëndësishëm nuk lidhet me sasinë, por me ndryshimin e burimit të furnizimit. Në vitin 2026, Bahrein është kthyer në furnizuesin kryesor të aluminit për Shqipërinë, duke dyfishuar peshën e tij në totalin e importeve nga 12% në të njëjtën periudhë të vitit 2025, në 24% në tre muajt e parë të vitit 2026. Ky ndryshim tregon një zhvendosje të qartë drejt furnizuesve nga Lindja e Mesme, një rajon që aktualisht përballet me tensione të forta gjeopolitike dhe rreziqe për transportin detar.

Në të njëjtën kohë, Italia, që më parë ishte furnizuesi kryesor me rreth 19.8% të importeve, ka rënë në vendin e dytë me 13.3%. Greqia ka ruajtur një peshë të qëndrueshme, ndërsa Kina dhe Turqia kanë shënuar ulje të lehta në pjesën e tyre të tregut. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në furnizimin me alumin për Shqipërinë, duke treguar një zgjerim gradual të lidhjeve tregtare me vendet e rajonit të Gjirit.

Rëndësia e aluminit nuk qëndron vetëm në volumet e importit, por edhe në peshën që ai zë në strukturën e përgjithshme të importeve të vendit. Në vitin 2025, kapitulli “Alumini dhe artikuj prej tij” u rendit ndër kapitujt kryesorë të importit, me një vlerë mbi 16.6 miliardë lekë, duke u pozicionuar mes mallrave më të rëndësishme që hynë në ekonominë shqiptare.

Çmimet e aluminit kanë arritur nivelet më të larta vitet e fundit, të ndikuara nga tarifat tregtare dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit. Me rreth 20% të prodhimit botëror që vjen nga Lindja e Mesme, çdo krizë në rajon pritet të shtojë kostot e ndërtimit dhe çmimet e banesave.

Theksojmë se alumini përdoret gjerësisht në sektorin e ndërtimit, në prodhimin e dyerve dhe dritareve, në transport dhe në një sërë pajisjesh industriale. Për këtë arsye, çdo rritje e kostove të këtij materiali reflektohet në çmimet e banesave, produkteve industriale dhe shërbimeve, duke u ndjerë përfundimisht edhe nga konsumatorët.

Shqipëria 27 Prill Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën në qëndrueshmëri duke mos pësuar luhatje të ndjeshme gjatë fundjavës teksa është blerë mëngjesin e sotëm me 81 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat