Shqipëria Postuar më 18 Nëntor 2025, 10:39

Workshopi Ndërkombëtar për hetimet penale, Xhaja: AAPSK, progres në mirëadministrimin e pasurive të krimit

Nga SCAN TV

Workshopi Ndërkombëtar për hetimet penale, Xhaja: AAPSK, progres

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) merr pjesë në workshop-in tre-ditor “Inspektorëve Tatimorë pa Kufij - Programi i Hetimeve Penale”,  organizuar në Tiranë nga UNDP, OECD dhe qeveria zvicerane (SECO), me pjesëmarrjen e institucioneve kyçe ligjzbatuese të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ky aktivitet, i cili zhvillohet nga data 17 deri në 19 nëntor 2025, synon forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër krimeve financiare, evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për administrimin efektiv të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Gjatë sesionit të dedikuar për prezantimin e mandateve institucionale, Kryeadministratorja e AAPSK-së, znj. Risena Xhaja, prezantoi funksionet, sfidat dhe rezultatet e Agjencisë në administrimin e pasurive që burojnë nga aktivitete të paligjshme.

Znj. Xhaja theksoi se AAPSK është hallkë e rëndësishme në zinxhirin e drejtësisë, duke siguruar ruajtjen, menaxhimin, vlerësimin dhe rikthimin në ekonomi të pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara, si një instrument kyç për goditjen e krimit të organizuar dhe ekonomisë ilegale.

Ajo prezantoi një panoramë të qartë të kategorive të pasurive që administron Agjencia, si dhe vëllimin e konsiderueshëm të aseteve nën administrim, të cilat variojnë nga pasuri të paluajtshme dhe mjete transporti, deri te llogari bankare, biznese, sende me vlerë dhe materiale të tjera.

Gjatë fjalës së saj, Kryeadministratorja vuri në dukje disa sfida që kërkojnë adresim të përbashkët ndërinstitucional, që kanë të bëjnë me vlerësimin dhe mirëmbajtjen e pasurive, kompleksiteti ligjor dhe procedural në administrimin e tyre, sfidat financiare dhe operacionale që kanë të bëjnë me kostot e mirëmbajtjes, proceset e likuidimit, digjitalizimin dhe burimet njerëzore, si edhe nevojën për më shumë transparencë.

Ajo theksoi se përballja me këto sfida kërkon një qasje të integruar dhe rritje të bashkëpunimit ndër-institucional.

Znj. Xhaja ndau gjithashtu disa nga rezultatet e arritura në vitin e saj të parë në krye të AAPSK, që kanë të bëjnë me përmirësimin e administrimit të shumë kategorive të pasurive nëpërmjet procedurave më transparente; rritjen e bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë; përgatitjen e modeleve të reja të raportimit publik dhe  standardeve më të mira të menaxhimit të aseteve; si edhe zgjerimin e projekteve për përdorimin social të pasurive, në funksion të interesit publik.

Në përfundim të fjalës së saj, Kryeadministratorja nënvizoi vizionin e Agjencisë për t’i kthyer pasuritë e konfiskuara në “dobi  për shoqërinë”, duke theksuar se administrimi i tyre i drejtë dhe transparent është një formë konkrete drejtësie sociale.

Gjatë tre ditëve të workshopit, përfaqësues të AAPSK, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,Policisë së Shtetit, SPAK, Prokurorisë, AIF, Doganave, si dhe partnerëve ndërkombëtarë (OECD, UNDP, SECO, Guardia di Finanza, EU4LEA) do të trajtojnë modelet e maturimit institucional, bashkëpunimin ndërinstitucional, zhvillimin e strategjive kundër krimit financiar dhe përmirësimin e mekanizmave të hetimit dhe sekuestrimit të pasurive.

Në fund të workshopit do të prezantohen edhe vlerësimet dhe rekomandimet për forcimin e kapaciteteve kombëtare, të cilat do të shërbejnë si bazë për Fazën II të programit TIWB–CI.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat