Shqipëria Postuar më 27 Prill 2026, 12:18

Transaksionet mbi 10 mijë euro do të ndalohen - Kufizohet përdorimi i cash-it në veprimet tregtare

Nga Elisabeta Dosku

Transaksionet mbi 10 mijë euro do të ndalohen - Kufizohet

Qeveria vendos një kufi të ri për përdorimin e parasë cash në transaksionet tregtare, në kuadër të projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sipas draftit, personat që tregtojnë mallra ose ofrojnë shërbime mund të pranojnë ose të kryejnë një pagesë në para’ vetëm deri në një shumë prej 10 000 euro ose në shumën e barasvlershme në monedhën kombëtare ose të huaj, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një operacion të vetëm ose në disa operacione që duket se janë të lidhura.

Projektligji parashikon gjithashtu që ky prag mund të ulet më tej nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, bazuar në vlerësimin e riskut në ekonomi.

Megjithatë, kufizimi nuk do të zbatohet për transaksionet pagesat ndërmjet personave fizikë që nuk veprojnë në cilësi profesionale;  për pagesat ose depozitat e kryera në ambientet e institucioneve të kreditit, emetuesve të parasë elektronike dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave.

Pagesat ose depozitat e tilla që tejkalojnë kufirin raportohen pranë autoritetit përgjegjës brenda afateve dhe në formën e përcaktuar prej saj. Shkelja e këtij kufiri do të konsiderohet kundërvajtje administrative, duke i ekspozuar bizneset dhe profesionistët ndaj gjobave sipas parashikimeve të ligjit.

Nga ana tjetër, drafti parashikon fleksibilitet në raste emergjente. Në situata të forcës madhore, kur mjetet elektronike të pagesës bëhen të padisponueshme në nivel kombëtar, Këshilli i Ministrave mund të vendosë pezullimin e përkohshëm të kufizimit të cash-it, deri në rikthimin e normalitetit.

Ky zhvillim synon të reduktojë ekonominë informale dhe të rrisë gjurmueshmërinë e transaksioneve financiare, por pritet të sjellë edhe ndryshime të ndjeshme në mënyrën se si operojnë bizneset në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat