Shqipëria Postuar më 7 Korrik 2026, 13:13

Të caktohet çmimi për energjinë e vetëprodhuesve - Kuvendi, kërkesë ERE-s. Në fokus dhe liberalizimi i tregut dhe cilësia e furnizimit

Nga Ola Mitre

Të caktohet çmimi për energjinë e vetëprodhuesve -

Kuvendi i ka lënë një sërë detyrash Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2026, duke i kërkuar të përshpejtojë reformat në tregun e energjisë elektrike, të avancojë procesin e liberalizimit dhe të përmirësojë standardet e shërbimit për konsumatorët. Në rezolutën për veprimtarinë e institucionit, ndër të tjera Kuvendi kërkon që ERE të miratojë çmimin e energjisë elektrike të prodhuar nga vetëprodhuesit.

“Menjëherë pas miratimit të metodologjisë nga Këshilli i Ministrave, të miratojë çmimin e energjisë elektrike të prodhuar nga vetëprodhuesit, si dhe do të luajë një rol proaktiv dhe të intensifikojë bashkëpunimin me të gjithë aktorët dhe palët e interesit, me qëllim adresimin e sfidave dhe standardizimin e proceseve që lidhen me promovimin dhe integrimin e projekteve të vetëprodhuesve”, - tha Ceno Klosi, relator për rezolutën.

Një tjetër prioritet i përcaktuar në rezolutë lidhet me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe liberalizimin e plotë të tregut.

“Në kuadër të harmonizimit të legjislacionit kombëtar me aquis të BE-së, ERE të vijojë përpjekjet dhe bashkëpunimin me të gjithë aktorët për të bërë të mundur transpozimin e paketës së integrimit të energjisë, si dhe liberalizimin të plotë të tregut me pakicë të energjisë elektrike”, - tha Klosi.

Rezoluta ndalet edhe te investimet në rrjetet energjetike.

“ERE gjatë procesit të shqyrtimit të planit të investimeve të OSSH-së dhe OST-së, të ketë në fokus nga njëra anë rritjen e kapaciteteve transmetuese për rritjen e fleksibilitetit operacional të sistemit elektroenergjetik dhe njëkohësisht të fokusohet në garantimin e furnizimit sipas standardeve cilësore dhe të qëndrueshme. Gjithashtu ERE të marrë masa rregullatore për përmirësimin e standardeve të cilësisë së shërbimit në sistemin e shpërndarjes së energjisë duke synuar rritjen e treguesve të performancës, uljen e kohës mesatare të ndërprerjes, si dhe përmirësimet treguese që lidhen me cilësinë e shërbimit”, - u shpreh Klosi.

Rezoluta për vitin 2026 kërkon gjithashtu masa për ankesat e konsumatorëve apo rritjen e ndërgjegjësimit të drejtim të eficiencës së energjisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat