Shqipëria Postuar më 14 Maj 2025, 11:29

Socialistët, fitore më të thellë se në 2021 - Deri më tani, sigurojnë 9 mandate më shumë. Demokratët, 9 më pak

Nga Ledina Elezi

Socialistët, fitore më të thellë se në 2021 - Deri

Partia Socialiste do të udhëheqë vendin edhe në 4 vitet e ardhshme. Për marrjen e mandatit të katërt, Partia Socialiste ka siguruar një fitore më të thellë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Pa përfunduar akoma numërimi i votave të diasporës, Socialistët rezultojnë të kenë fituar 83 mandate, 9 mandate më shumë se në 2021. Ndërkohë, Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë vetëm 50 mandate, 9 mandate më pak se në 2021. Nga partitë e vogla, Socialdemokratët kanë siguruar sërish 3 mandate, njëlloj si në 2021, Partia Mundësia fiton 2 mandate, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë fusin në Kuvend  nga 1 deputet.

Pesë partitë e tjera që garuan në këto zgjedhje, nuk kanë fituar asnjë mandat.

Partia Socialiste ka marrë 52.26% ose mbi 776 mijë vota, ndërsa Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka fituar vetëm 33.95% ose mbi 504 mijë të votave në rang vendi. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet është forca e tretë politike me më tepër vota, mbi 56 mijë, ndërsa Partia Socialdemokrate dhe Mundësia figurojnë me 48 mijë dhe 45 mijë vota përkatësisht. Për shkak të sistemit zgjedhor aktual, pavarësisht se Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë më tepër vota se Partia Socialdemokrate, kjo e fundit ka fituar më shumë mandate, sepse i ka pasur votat më të përqendruara në 2 qarqe dhe jo të shpërndara në të gjithë vendin.

Për sa i përket qarqeve, Demokratët në koalicion kryesojnë vetëm në Kukës, Shkodër dhe Lezhë, ndërsa qytetarët e 9 qarqeve të tjera kanë votuar me shumicë për Socialistët.

Mbi 56 mijë vota kanë shkuar dëm, pasi janë vlerësuar si të pavlefshme.

Aktualisht, nuk ka përfunduar akoma numërimi i votave parapëlqyese, pra për kandidatët në listën e hapur, ndërsa vijon edhe numërimi i votave të diasporës shqiptare. Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri në orën 10:30 të paradites së sotme, janë numëruar mbi 81 mijë zarfe, me 54.13% të votave që kanë forcuar edhe më tepër pozitën e Partisë Socialiste, ndërsa vetëm 28.48% e votave të diasporës shqiptare janë dhënë për Koalicionin Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat