Shqipëria Postuar më 8 Dhjetor 2025, 13:15

“Shqipëria, me shkollë rajonale kadetësh” - Vengu: Kampusi i Forcave të Armatosura, gati në shkurt. Pagë 800 euro për studentët e rinj

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria, me shkollë rajonale kadetësh” - Vengu:

Kampusi i ri i Forcave të Armatosura pritet të jetë gati për studentët në shkurt të 2026. Kështu është shprehur Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë inspektimit të punimeve me Ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.

Me një hapësirë prej 7600 m², kampusi i ri ofron klasa dhe auditore moderne, poligon stërvitor, pishinë, laboratore dhe ambiente funksionale që plotësojnë standardet më të larta të edukimit ushtarak. Rreth 80% e punimeve kanë përfunduar, ndërsa po punohet për me arredimin dhe pajisjet teknologjike tha Vengu.

“Kemi një numër shumë të lartë aplikimesh çdo vit. Këtë vit ka pasur një rekord me 1,630 aplikime për vetëm 80 kuota. Është një nga institucionet që po shënon rritjen më të madhe të interesit, me një disproporcion të madh mes kërkesës dhe ofertës. Kapaciteti maksimal për akomodim do të jetë rreth 100 studentë, edhe pse grupet janë më të vogla. Sipas kalendarit, në muajin shkurt godina do të jetë gati për të akomoduar studentët e bachelor-it dhe masterit.”

Në vitin e parë bachelor, një student i Akademisë së Forcave të Armatosura paguhet rreth 800 euro në muaj. Ministri Vengu theksoi se ky kampus do të shndërrohet në një shkollë rajonale kadetësh.

“Studentët paguhen që në vitin e parë pas betimit. Aktualisht, paga fillestare është rreth 800 euro dhe rritet me gradat dhe vjetërsinë. Specializimet kryhen edhe jashtë vendit, në Francë, Itali, Turqi, Greqi dhe vende të tjera partnere. Aktualisht Akademia ka rreth 450 studentë në bachelor dhe master, përfshirë edhe kadetë nga Kosova, për të cilët janë rritur kuotat. Qëllimi është që ky kampus të shndërrohet në një shkollë rajonale kadetësh, me bashkëpunime edhe me vende aleate si SHBA dhe shtete të tjera të NATO-s”, tha Ministri.

Nga ana tjetër, Kumbaro u shpreh se Akademia Ushtarakе është pjesë e portofolit të madh të investimeve në arsim.

“Ky është një investim shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Akademinë, por për gjithë sektorin e arsimit. Akademia Ushtarakе është pjesë e portofolit të madh të investimeve në arsim, së bashku me Shkollën e Magjistraturës, arsimin profesional dhe Akademinë e Sigurisë.”

Akademia ofron një ofertë të gjerë akademike dhe profesionale, jo vetëm në programe teorike, por edhe formim profesional në specialitete si siguria kibernetike, duke përgatitur edhe specialistë për sektorë të tjerë shtetërorë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat