Shqipëria Postuar më 22 Maj 2026, 14:42

‘Shqipëria është një aleate e çmuar’ - Takaichi: Synojmë zgjerimin e bashkëpunimit në disa fusha

Nga Edel Strazimiri

‘Shqipëria është një aleate e çmuar’ -

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, vlerësoi marrëdhëniet mes Japonisë dhe Shqipërisë gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tokio, duke theksuar se të dy vendet ndajnë vizione dhe parime të përbashkëta në arenën ndërkombëtare.

Në fjalën e saj në fillim të takimit mes delegacioneve, Takaichi shprehu kënaqësinë për vizitën e Ramës në Japoni dhe e cilësoi atë si një mundësi të rëndësishme për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e partneritetit mes dy vendeve.

Sipas saj, Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për Japoninë dhe një vend me të cilin ekzistojnë marrëdhënie të qëndrueshme të bazuara në vlera demokratike dhe respekt të ndërsjellë. Ajo vlerësoi gjithashtu progresin që Shqipëria po shënon në procesin e integrimit europian, duke nënvizuar se Tokio mbështet rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian.

Kryeministrja japoneze rikujtoi se në kuadër të iniciativave të bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, Japonia do të vazhdojë të kontribuojë në projekte që nxisin zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe afrimin e rajonit me strukturat europiane.

Takaichi vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke e konsideruar kontributin e saj të rëndësishëm në një rajon që historikisht ka përjetuar sfida të shumta politike dhe gjeopolitike.

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe bashkëpunimit në nivel global. Kryeministrja japoneze falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj vizionit japonez për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, duke theksuar se siguria dhe prosperiteti i rajoneve të ndryshme të botës janë sot më të lidhura se kurrë me njëra-tjetrën.

Ajo shtoi se Japonia synon të intensifikojë bashkëpunimin me Shqipërinë jo vetëm në planin diplomatik, por edhe në fushat ekonomike, kulturore dhe të sigurisë, duke hapur rrugën për partneritete të reja në vitet e ardhshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat