Shqipëria Postuar më 22 Maj 2026, 14:33

Lufta ndaj rrjeteve kriminale hyn në një fazë të re - Gjermania rrit mbështetjen për Policinë e Shtetit

Nga Edel Strazimiri

Lufta ndaj rrjeteve kriminale hyn në një fazë të re -

Forcimi i partneritetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe rritja e mbështetjes për strukturat hetimore shqiptare ishin në qendër të një takimi të zhvilluar mes drejtuesve të Policia e Shtetit dhe një delegacioni të Zyra Federale Kriminale e Gjermanisë.

Delegacioni gjerman, i kryesuar nga Gregor Erb, u prit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nga drejtori i përgjithshëm, Skënder Hita.

Gjatë bisedimeve, palët diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit operacional dhe koordinimin e projekteve që BKA-ja po mbështet në Shqipëri, veçanërisht në funksion të forcimit të kapaciteteve të Policisë Kriminale dhe të Institutit të Policisë Shkencore. Një tjetër temë e rëndësishme ishte harmonizimi i programeve të përbashkëta me iniciativat e Bashkimit Evropian që zbatohen në rajon në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Drejtori Hita vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve gjermanë, duke theksuar se sfidat që lidhen me krimin ndërkombëtar kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni. Sipas tij, takimi krijon premisa për identifikimin e prioriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Policisë së Shtetit për të forcuar më tej marrëdhëniet me BKA-në dhe institucionet e tjera gjermane të sigurisë, me synim rritjen e efektivitetit në luftën kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Gregor Erb shprehu gatishmërinë e autoriteteve gjermane për të vijuar mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit përmes programeve të përbashkëta, trajnimeve profesionale dhe pajisjeve bashkëkohore. Sipas tij, këto iniciativa do të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave hetimore dhe laboratorëve të policisë shkencore në Shqipëri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat