Shqipëria Postuar më 22 Maj 2026, 13:13

Karakaçi: Projekti i Portit të Porto Romanos do të rishikohet pas dështimit të procedurës së dytë tenderuese

Nga Edel Strazimiri

Karakaçi: Projekti i Portit të Porto Romanos do të rishikohet

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se edhe procedura e dytë për përzgjedhjen e investitorit për ndërtimin e Portit të Porto Romanos nuk ka përfunduar me sukses, pasi kompania e renditur fituese nuk arriti të sigurojë financimin e nevojshëm për realizimin e projektit.

Gjatë një konference për mediat, Karakaçi shpjegoi se operatori ekonomik kishte njoftuar zyrtarisht Autoriteti Portual Durrës se nuk ishte në gjendje të paraqiste marrëveshjen financiare të kërkuar, duke argumentuar se rritja e kostove të projektit kishte vështirësuar sigurimin e fondeve.

Ministri theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për realizimin e këtij investimi strategjik, duke e konsideruar Portin e Porto Romanos një hallkë kyçe për zhvillimin e transportit dhe logjistikës në vend. Sipas tij, projekti ka rëndësi të veçantë edhe në kuadër të Korridori VIII, si dhe për interesat e aleancës së NATO në rajon.

Karakaçi bëri me dije se po shqyrtohen alternativa të ndryshme për të çuar përpara projektin dhe se institucionet përgjegjëse janë në konsultime të vazhdueshme me kompaninë konsulente Royal HaskoningDHV, e specializuar në projektet portuale ndërkombëtare.

Ai siguroi se sapo të përfundojë analiza e opsioneve dhe të merret një vendim për mekanizmin e ri të zbatimit, publiku do të informohet mbi hapat e ardhshëm për realizimin e Portit të Porto Romanos.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat