Shqipëria Postuar më 22 Maj 2026, 14:29

Rama në Tokio: Shqipëria synon të thellojë partneritetin me Japoninë, ftesë për samitin e NATO-s në Tiranë

Nga Edel Strazimiri

Rama në Tokio: Shqipëria synon të thellojë partneritetin me

Kryeministri Edi Rama u prit me nderime shtetërore në Tokio gjatë vizitës së tij zyrtare në Japoni, ku zhvilloi një takim me homologen japoneze, Sanae Takaichi. Ceremonia e pritjes u zhvillua me gardë nderi, duke shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në deklaratën e tij para nisjes së bisedimeve zyrtare, Rama shprehu mirënjohjen për mikpritjen e rezervuar nga autoritetet japoneze, duke vlerësuar ceremoninë si një përvojë të veçantë ndër shumë pritjet shtetërore ku ka marrë pjesë gjatë karrierës së tij politike.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria dhe Japonia ndajnë të njëjtat vlera demokratike dhe një vizion të përbashkët për rendin ndërkombëtar, duke nënvizuar se ekziston potencial i madh për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Sipas tij, Tirana është e interesuar të zgjerojë partneritetin me Tokion në fusha të ndryshme strategjike dhe ekonomike.

Rama vuri në dukje se kjo është vizita e tij e dytë në Japoni brenda një periudhe të shkurtër kohore, çka sipas tij reflekton rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me vendin aziatik. Ai konfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për vizionin strategjik të Japonisë në rajonin Indo-Paqësor.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri shqiptar i drejtoi një ftesë zyrtare kryeministres japoneze për të marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027. Rama theksoi se një vizitë e tillë do të kishte një simbolikë të veçantë, pasi do të ishte hera e parë që një kryeministër i Japonisë do të realizonte një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Në përfundim, ai përgëzoi Takaichin për rezultatin në zgjedhjet e fundit dhe vlerësoi rolin e saj në drejtimin e qeverisë japoneze, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të hyjë në një fazë të re zhvillimi dhe partneriteti.

Rama në Tokio: Shqipëria synon të thellojë partneritetin me

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat