Shqipëria Postuar më 6 Gusht 2026, 10:35

Rrjeti elektrik në Astir e Kombinat, drejt modernizimit - OSSH hap garën për dy linja të reja 20 kV, për të lehtësuar ngarkesën në rrjet

Nga Ernilda Luzi

Rrjeti elektrik në Astir e Kombinat, drejt modernizimit - OSSH hap

Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë ka shpallur hapjen e garës për ndërtimin e dy fiderave të rinj 20 kilovolt, me qëllim përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe uljen e ngarkesës në rrjetin ekzistues. Fondi limit i projektit është 76 milionë e 52 mijë lekë dhe investimi parashikon ndërtimin e dy fiderave të rinj, T15 dhe T20, të cilët do të dalin nga Nënstacioni Kombinat 110/20 kV.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, linjat e reja do të kalojnë pranë rrethrrotullimit të Yzberishtit dhe do të vijojnë përgjatë bulevardit të ri "Migjeni" në Astir, deri në kabinat ku do të realizohen pikat e lidhjes me rrjetin ekzistues.

Ky investim synon të ulë ngarkesën e lartë që mbajnë aktualisht fiderat ekzistues, të cilët furnizojnë një nga zonat me zhvillimin më të shpejtë urban në kryeqytet. Sipas dokumentacionit teknik, mbingarkesa e rrjetit ka sjellë rritje të humbjeve teknike dhe joteknike, si edhe përkeqësim të cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

OSSH vlerëson se rrjeti aktual nuk arrin më të përballojë kërkesën në rritje për energji, për shkak të zgjerimit të vazhdueshëm të zonës me ndërtime të reja dhe shtimit të popullsisë. Për këtë arsye është konsideruar i domosdoshëm ndërtimi i dy fiderave të rinj, të cilët do të krijojnë lidhje të reja unazore në rrjetin 20 kilovolt.

Këto lidhje do të rrisin sigurinë e furnizimit, do të shpërndajnë më mirë ngarkesën në rrjet dhe do të reduktojnë ndërprerjet e energjisë elektrike. Projekti do të përfshijë rikonstruksionin e disa kabinave ekzistuese dhe përshtatjen e tyre për krijimin e pikave të reja të lidhjes. Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, investimi synon të përmirësojë standardet e furnizimit me energji elektrike në një nga zonat me ritmin më të lartë të zhvillimit në Tiranë, duke ulur humbjet në rrjet, rritur cilësinë e shërbimit dhe garantuar furnizim më të qëndrueshëm.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat