Shqipëria Postuar më 17 Mars 2025, 10:01

Rritje e detyruar page për mbi 143 mijë punonjës - 7 mln euro të ardhura shtesë në buxhet. Cilët ishin sektorët që rishikuan deklarimet?

Nga Elisabeta Dosku

Rritje e detyruar page për mbi 143 mijë punonjës - 7 mln euro

Mbi 143 mijë punonjës në të gjithë vendin kanë përfituar rritje të detyruar page përgjatë vitit 2024.

Të dhënat nga raporti vjetor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë se rezultatet e fushatës antiinfomalitet të ndërmarrë në tetor të vitit të kaluar kanë qenë pozitive për 143,126 të punësuar në sektorë të ndryshëm të cilët kanë qenë të nëndeklaruar.

Por si janë të ndarë sipas sektorëve dhe kush ka përfituar më shumë?

Sektori me numrin më të lartë të pozicioneve me rritje është ai i shërbimeve, ku përfshihen hotele, bare restorante në zonat urbane dhe qendrat turistike,  me 46.508 pozicione të cilët kanë pasur rritje në pagën e deklaruar.

Ndjekur nga sektori i prodhimit, ku përfshihen subjekte të ndryshme prodhuese por edhe fasoneritë, ku pagat janë rritur për  38,147 të punësuar.

Më pas renditet sektori i tregtisë ku kanë përfituar 34,488 punonjës, sektori i ndërtimit po ashtu ka pasur një numër të konsiderueshëm të të punësuarve të cilëve u është rishikuar paga, regjistruar në 18,913,  ndërsa në sektorin e transportit pagat kanë ndryshuar vetëm për 5,070 të punësuar. Janë konsideruar me rritje page ato pozicione ku rritja është me shume se 10%.

Rritja e pagës së deklaruar përkthehet në më shumë të ardhura në arkën e shtetit nga zëri të tatimit mbi të ardhurat personale si dhe më shumë përfitime për punonjësit, sa i takon raporteve të paaftësisë së përkohshme në punë apo një pensioni më të lartë në të ardhmen.

Nga rishikimi i deklarimit të pagave nga biznese, të ardhurat shtesë nga kontributet regjistrohen në afro 7 milionë euro. Në kuadër të luftës kundër informalitetit në tregun e punës është vepruar si ne krijimin e kritereve te riskut për të evidentuar tatimpaguesit mospërmbushës ashtu edhe në dërgimin e mesazheve ndërgjegjësuese për nxitjen e përmbushjes vullnetare.

Në tetor 2024 u janë dërguar mesazhe ndërgjegjësuese  POP- UP të gjithë popullatës së tatimpaguesve të regjistruar. Në nëntor 2024  janë dërguar mesazhe për 30.159 tatimpagues të evidentuar me risk.

Janë realizuar 1.452 vizita inspektuese nga administrata tatimore nga të cilat 16 nga strukturat e Hetimit Tatimor.

860 tatimpagues janë dërguar për vlerësim dhe inspektim nga Inspektorati Shtetëror i Punës në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar midis institucioneve përkatëse.

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 17 Mars Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan duket që ka kaluar një fundjavë relativisht të qetë teksa vazhdon edhe këtë të hënë të blihet me 91 lekë dhe të shitet me 92 lekë sipas......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat