Shqipëria Postuar më 9 Nëntor 2025, 10:44

Rriten investimet në bashkinë Mat - Performancë pozitive në mbledhjen e taksës së pasurisë

Nga Elisabeta Dosku

Rriten investimet në bashkinë Mat - Performancë pozitive në

Të ardhurat e Bashkisë Mat janë rritur në disa kategori kryesore gjatë 2024-ës, në raport me një vit më parë.

Kategoria me rritjen më të lartë është taksa e tokës bujqësore, e cila ka shënuar një rritje prej 218%, duke kapërcyer nga 467 mijë lekë në vitin 2023 në 1.4 milionë lekë në vitin 2024. Edhe pse ende në shifra modeste dhe nën potencial ky ndryshim i ndjeshëm tregon një përpjekje të bashkisë për të formalizuar pronësinë dhe përdorimin e tokës bujqësore, si dhe për të përmirësuar arkëtimin e detyrimeve nga ky sektor.

Edhe taksat e ndërtesës kanë shënuar një rritje të qëndrueshme prej 43%, duke arritur në 19  milionë lekë nga 13,3 milionë lekë në 2023. Po ashtu, taksat e ndikimit në infrastrukturë janë rritur me 36%, duke arritur në 4,6 milionë lekë, krahasuar me 3,4 milionë lekë vitin e kaluar.

Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash ka qenë tarifa e zënien e hapësirave publike, e cila ka shënuar një rritje prej 62%, duke u ngjitur nga 1,7 milionë lekë në 2,8 milionë lekë. Ndërkohë, tarifa e pastrimit ka mbetur e pandryshuar, me vlera simbolike, duke reflektuar nevojën për përmirësim në mbledhjen e këtij shërbimi.

Në kategorinë e taksave të tjera vendore, Bashkia Mat ka regjistruar një rritje të qëndrueshme prej 46%, duke  arritur te mbledhë 88 milionë lekë. Po ashtu, të ardhurat jotatimore janë rritur me 86%, duke arritur në 19,8 milionë lekë, nga 10,6 milionë lekë në 2023.

Në total, të ardhurat e Bashkisë Mat për vitin 2024 tregojnë një tendencë pozitive pothuajse në të gjitha kategoritë. Rritjet e konsiderueshme, veçanërisht në taksën e tokës bujqësore dhe të ardhurat jotatimore, dëshmojnë për një qasje më efektive në administrimin fiskal dhe zgjerimin e burimeve vendore.

Sa i takon shpenzimeve, pjesa më e madhe janë paga personeli dhe operative, por edhe ato kapitale kanë rezultuar në rritje.

Të ardhurat e veta vendore të bashkisë Mat janë 5,912 lekë për banor apo rreth 59 euro,  shpenzimet e përgjithshme 28.412 lekë për banor,  ndërsa shpenzimet për investime regjistrohen 6,436 apo rreth 65 euro për banor, duke u përfshirë në grupin e njësive me shpenzime të larta në këtë drejtim.

Referuar të dhënave të Censit2023 Bashkia Mat ka 22,103 banorë, dhe në një dekadë për shkak të ndryshimeve demografike ka pësuar një tkurrje me 20%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat