Shqipëria Postuar më 24 Tetor 2025, 13:36

Rinovim i 980 godinave publike - Plani për dekarbonizimin e sektorit, për 3 vite nevojiten 113 mln euro

Nga Ola Mitre

Rinovim i 980 godinave publike - Plani për dekarbonizimin e sektorit,

Rreth 980 objekte publike pritet të rinovohen deri në vitin 2027, sipas draft Planit Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, që parashikon ndërhyrje të thella në stokun ekzistues të ndërtesave publike dhe rezidenciale, me synimin për dekarbonizimin e plotë të sektorit të ndërtesave deri në vitin 2050.

Dokumenti është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas miratimit të Strategjisë Afatgjatë të Rinovimit të Stokut të Ndërtesave.

Sipas të dhënave të planit, për periudhën 2025–2027 pritet të rinovohen rreth 980 ndërtesa publike bashkiake dhe qendrore, me një investim total prej mbi 113 milionë eurosh. Megjithatë, plani merr në konsideratë vitin 2025, por fakti që ai nuk është miratuar ende nënkupton që do të ketë shtyrje. 

Sipas dokumentit për vitin 2025 ishte planifikuar rinovimi i 306 ndërtesave publike, me një fond prej 35.2 mln eurosh. Ndërkohë në vitin 2026 parashikohet ndërhyrja në 327 objekte me 37.6 mln euro, ndërsa në vitin 2027, numri i ndërtesave që do të duhet përfshihen në procesin e rinovimit do të duhet të arrijë në 347, me 40 mln euro investime.

Plani përcakton një trajektore kombëtare rinovimi me objektiva për vitet 2030, 2040 dhe 2050, si dhe standarde minimale të performancës energjetike për ndërtesat e reja dhe ekzistuese. Ai synon të mobilizojë investime publike dhe private në fushën e energjisë dhe ndërtimit, duke krijuar një treg të ri për teknologjitë e gjelbra dhe punësim në sektorin e ndërtimit dhe energjisë së pastër.

Sipas draftit stoku i ndërtesave shqiptare konsumon mbi 37% të energjisë totale të vendit, duke qenë ndër sektorët me konsumin më të lartë të energjisë në vend. Ndërkohë, deri në vitin 2050 pritet që ndërhyrjet e parashikuara të reduktojnë ndjeshëm këtë nivel përmes izolimit termik, sistemeve efikase të ngrohjes dhe përdorimit të burimeve të rinovueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat