Shqipëria Postuar më 24 Tetor 2025, 12:13

Katër rrugët, që marrin 2.4 mld lekë shtesë - Projektet/ Nga bypass-i i Tiranës, te zgjidhja e trafikut në autostradën Tiranë-Elbasan

Nga Ola Mitre

Katër rrugët, që marrin 2.4 mld lekë shtesë -

Ndryshimet në buxhetin 2025, përmes Aktit Normativ të qeverisë, akordojnë 2.4 mld lekë shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme rrugore. Më konkretisht, këto para’ do të ndahen për 4 projekte me performancë të mirë që do të vazhdojnë edhe pas vitit 2026. I pari është ndërtimi i rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me korridorin VIII, një ndërhyrje që pritet t’i japë zgjidhje trafikut që krijohet në hyrje-daljet e autostradës Tiranë – Elbasan.

Projekti synon ndërtimin e një segementi që nis pa mbërritur te rrethrrotullimi i Bradasheshit, duke bërë lidhjen e autostradës me korridorin VIII, në afërsi të ish-Metalurgjikut. Autoritetet kanë deklaruar se synimi është që ky segment të jetë gati për qarkullimin e automjeteve verën e vitit që vjen. Lidhur me korridorin VIII, Akti Normativ parashikon financim edhe për spostimin e linjave të tensionit të lartë përgjatë tij, që është edhe projekti i dytë për të cilin janë akorduar fondet.

Një tjetër projekt i rëndësishëm që merr financim për avancimin është bypass-i i Tiranës, për fazën e tretë të tij. Aktualisht janë nënshkruara kontratat për 2 fazat e para, që përfshijnë një gjatësi rruge prej 8.5 km në segmentin Kashar–Vaqarr, një pjesë kyçe e bypass-it. Financimi i fazës së tretë, në nënkupton vazhdimin e këtij segmenti, që ka një gjatësi totale prej 21.6 km. Bypass-i i Tiranës konsiderohet ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, pasi do të lidhë direkt autostradën Durrës–Tiranë me Tiranë–Elbasan, duke shmangur hyrjen e trafikut tranzit në kryeqytet.

Ndërkaq, projekti i katërt që merr financim shtesë për vitin 2025 është rikualifikimi urban i superstradës Tiranë–Durrës (faza I–III). Faza I dhe II, përfshin zgjerimin e autostradës në 5 km e parë të saj, që nisin pak pasi kalon kthesën e Kamzës, deri te mbikalimi i Rinasit. Ky segment parashikohet të përfundojë brenda 2 muajsh, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi lëvizjeje. Ndërkohë, faza e tretë përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me projektin e zgjerimit të autostradës. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat