Shqipëria Postuar më 14 Janar 2026, 11:15

“Rimëkëmben” bonot 12-mujor/ Viti 2026 nis mbarë për instrumentin afatshkurtër. Yield-i, 2.47% në ankandin e parë

Nga Ledina Elezi

“Rimëkëmben” bonot 12-mujor/ Viti 2026 nis mbarë

Viti 2026 ka nisur mbarë për bonot 12-mujore të thesarit. Në ankandin e parë të këtij viti, yield-i mesatar i ponderuar rezulton të jetë rritur lehtë.

Ky ndryshim është i vogël dhe reflekton lëvizjet normale të tregut, pritshmëritë për normat e interesit dhe kushtet e përgjithshme ekonomike. Kërkesa totale për bonot mbeti mbi ofertën e shpallur.

Yield-i ka arritur në 2.47% në ankandin e zhvilluar në 13 janar, ndërsa ishte 2.44% në fund të dhjetorit. Pavarësisht rritjes, yield-i mesatar i ponderuar vijon të jetë poshtë normës bazë të interesit prej 2.5%.

Kërkesa për pjesëmarrje vijon të jetë më e madhe se shuma e shpallur për financim në këtë ankand.

Konkretisht, shuma e shpallur  për financim ishte 8.5 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 10.44 miliardë lekë.

Mbajtja e normës bazë të interesit në 2.50% nga Banka e Shqipërisë, jep ndikimin e tij në yield-et e ulëta të bonove 12-mujore.

Niveli i ulët i interesit të bonove nënkupton edhe kosto më të lira për kredinë në lekë, e cila ndikon në zgjerimin e huadhënies bankare. Nga ana tjetër, qeveria mund të financojë borxhin e brendshëm me kosto më të lirë.

Yield-i përfaqëson kthimin vjetor që realizon investitori nga mbajtja e një instrumenti financiar deri në maturim. Në rastin e bonove të thesarit 12-mujore, ky kthim realizohet nga diferenca midis çmimit të blerjes dhe vlerës nominale në maturim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat