Shqipëria Postuar më 4 Shtator 2025, 13:07

Rekord pagesash elektronike në 2025 - BSH: Shqiptarët po përdorin më shumë “kanalet” online për të shlyer fatura

Nga Ledina Elezi

Rekord pagesash elektronike në 2025 - BSH: Shqiptarët po përdorin

Shlyerja e faturave të energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobave të policisë, pagesave të kartës së kreditit, taksave, dhe blerjet e tjera, po kryhen gjithnjë e më shumë online ose fizikisht me kartë.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e parë të vitit janë realizuar rreth 5 milionë transaksione me home banking ose 22.6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ndërkohë, për sa i përket pagesave të realizuara me kartë terminalet POS, ato kanë pësuar një rritje me 42% në krahasim me janar-qershor 2024. Konkretisht, në gjysmën e parë të 2025 rezultojnë të jenë kryer 12.5 milion pagesa me kartë në POS-e.

Gjithashtu, sistemet e pagesave AECH dhe AIPS kanë marrë një zhvillim tjetër vitet e fundit. Sipas statistikave, numri i transaksioneve të realizuara me AECH arriti mbi 1 milionë në janar-shtator të këtij viti.

Nga ana tjetër, shuma e pagesave në euro të kryera me sistemin AIPS ka pësuar një rekord të ri në muajin korrik. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i pagesave të kryera brenda vendit me sistemin AIPS EURO arriti në 218 mijë në fund të shtatëmujorit.

Nëse bëjmë një krahasim me periudhën janar-korrik 2024, numri i pagesave të realizuara me AIPS EURO ka pësuar një rritje me 21.8%, ndërsa edhe shuma e tyre rezulton gjithashtu me një rritje prej 22.7%.

Që prej fillimit të funksionimit të tij në vitin 2022, AIPS Euro ka siguruar kursime të konsiderueshme për qytetarët shqiptarë. Konkretisht, funksionimi i sistemit të pagesave AIPS Euro u ka kursyer bizneseve dhe qytetarëve mbi 37 milionë euro në 2023-in. Deri në fund të 2024, kursimet përllogariteshin në përafërsisht 100 milionë euro.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa përpjekje për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe nxitjen e pagesave elektronike, duke nisur që nga ulja e komisioneve tek anëtarësimi në SEPA apo zbatimi i sistemit të pagesave të shpejta nga viti i ardhshëm.

Pavarësisht se këto shifra tregojnë një ecuri në rritje të pagesave elektronike nga viti në vit, paraja fizike vijon të përdoret gjerësisht për realizimin e blerjeve apo marrjen e shërbimeve. Ekonomia shqiptare mund të kursejë miliarda euro nga zëvendësimi i pagesave me para fizike në pagesa elektronike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat