Shqipëria Postuar më 19 Shtator 2025, 15:59

“Progresi i Shqipërisë në turizëm, në vëmendje të shteteve të tjera”/ Ambasadori Slloven në takim me Guvernatorin, vlerëson progresin e ekonomisë shqiptare

Nga Ledina Elezi

“Progresi i Shqipërisë në turizëm, në

Stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë është një arritje e çmuar në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian. Këto ishin fjalët e Ambasadorit të Sllovenisë në Shqipëri Jakob Štunf gjatë një takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

Ambasadori Štunf vlerësoi progresin e bërë nga ekonomia shqiptare. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë ka padyshim një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke krijuar një ambient të qetë e të përshtatshëm financiar të përkthyer më tej në zhvillim të tregut financiar. Gjithashtu, Ambasadori Štunf u shpreh se Shqipëria ka tërhequr tashmë vëmendjen e mjaft vendeve me progresin e bërë në fushën e turizmit, i cili tashmë është dhe promotor i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu lidhur me Qendrën e Ekselencës në Financë (CEF), organizatën ndërkombëtare me seli në Lubjanë, Slloveni, e cila shërben si qendër për përcjelljen e njohurive për rajonin tonë dhe ku Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar në vazhdimësi, duke dhënë kontributin e saj si një anëtare prej dy dekadash. Guvernatori Sejko shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer, duke theksuar se Qendra CEF vazhdon të jetë një partner, i cili ofron një platformë për të punuar dhe për të transformuar shoqëritë tona përmes njohurive.

Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me situatën aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare. Ai u shpreh se aktiviteti ekonomik në vend është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta me kushte financimi akomoduese.

Sejko gjithashtu u ndal në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe zhvillimin e pagesave elektronike, të cilat sjellin përfitime për qytetarët dhe bizneset, falë uljes së kostove të transaksioneve. Ky proces u kurorëzua me anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA dhe me pranimin e bankave vendase në këtë hapësirë pagesash evropiane, si një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian; duke filluar nga 7 tetori 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa më të shpejta dhe më të lira me të gjitha vendet anëtare të SEPA-s.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat