Shqipëria Postuar më 4 Shtator 2026, 12:31

Plane të reja për transportin e qëndrueshëm/ Nyjet urbane TEN-T duhet t’i miratojnë deri në fund të 2027-ës

Nga Ola Mitre

Plane të reja për transportin e qëndrueshëm/ Nyjet urbane

Qytetet shqiptare që do të përcaktohen si nyje urbane të rrjetit trans-evropian të transportit do të duhet të hartojnë dhe miratojnë Planet e Qëndrueshme të Lëvizshmërisë Urbane. Rregullorja e re TEN-T, tashmë pjesë e kuadrit shqiptar, vendos si afat 31 dhjetorin 2027 për miratimin dhe monitorimin e këtyre planeve.

Planet e Qëndrueshme të Lëvizshmërisë Urbane janë dokumente strategjike që përcaktojnë mënyrën se si duhet të organizohet transporti në një qytet. Në vend që planifikimi të fokusohet vetëm te qarkullimi i makinave dhe infrastruktura rrugore, ato trajtojnë së bashku transportin publik, ecjen, biçikletat, parkimin, logjistikën urbane dhe lidhjen mes mënyrave të ndryshme të transportit.

Qëllimi është krijimi i një sistemi transporti më të aksesueshëm dhe të sigurt, reduktimi i trafikut, ndotjes së ajrit dhe zhurmës, si dhe rritja e përdorimit të transportit publik dhe mënyrave të lëvizjes me emetime zero ose të ulëta.

Po deri në fund të vitit 2027, për nyjet urbane duhet të mblidhen dhe raportohen të dhëna mbi qëndrueshmërinë, sigurinë dhe aksesueshmërinë e transportit. Ndërkohw qw, deri në fund të vitit 2030 parashikohet zhvillimi i qendrave multimodale të udhëtarëve, që mundësojnë kalimin më të lehtë nga një mënyrë transporti në tjetrën.

Sipas rregullores, në rrjetin TEN-T përcaktohen si nyje urbane qytetet me 100 mijë banorë ose më shumë, si dhe nyja kryesore e një rajoni kur në të nuk ekziston një qendër që arrin këtë prag. Për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, procesi i përcaktimit të nyjeve urbane është ende në zhvillim.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat