Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2026, 13:07

Përgjysmim i viktimave në rrugë deri në 2030-ën/ Strategjia e re: Masa për infrastrukturën rrugore dhe kontrollin

Nga Ola Mitre

Përgjysmim i viktimave në rrugë deri në 2030-ën/

“Përgjysmim i numrit të viktimave nga aksidentet rrugore deri në fund të dekadës”. Ky është një prej objektivëve të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030, i publikuar në Fletoren Zyrtare. Dokumenti synon që deri në vitin 2030 numri i personave që humbin jetën në rrugët e vendit të zbresë në rreth 99 viktima në vit, ose 36 viktima për 1 milion banorë, në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian.

Strategjia bazohet në qasjen “Sistemi i Sigurt”, e cila pranon se gabimet njerëzore janë të pashmangshme dhe synon që infrastruktura, automjetet dhe institucionet të organizohen në mënyrë të tillë që këto gabime të mos përfundojnë me humbje jete apo plagosje të rënda. Dokumenti thekson se siguria rrugore nuk është përgjegjësi vetëm e drejtuesve të mjeteve, por edhe e projektuesve të rrugëve, prodhuesve të automjeteve, institucioneve dhe organeve ligjzbatuese.

Ndërkaq, për arritjen e objektivit, strategjia parashikon një sërë masash, që nisin me përmirësimin e standardeve të infrastrukturës rrugore dhe identifikimin e pikave me risk të lartë aksidentesh. Një fokus i veçantë i kushtohet mbrojtjes së këmbësorëve, çiklistëve dhe motoçiklistëve, si grupet më të ekspozuara ndaj aksidenteve.

Në të njëjtën kohë, dokumenti parashikon forcimin e kontrollit për respektimin e rregullave të qarkullimit, rritjen e përdorimit të rripave të sigurimit, helmetave dhe sistemeve të mbajtjes për fëmijët, të kombinuara me fushata të ndërgjegjësimit publik.

Një tjetër shtyllë e strategjisë është përmirësimi i mbledhjes dhe analizës së të dhënave për aksidentet rrugore. Sipas dokumentit, aktualisht Shqipëria ka mangësi në monitorimin e trafikut dhe në integrimin e të dhënave nga institucionet, ndaj parashikohet krijimi i një databaze kombëtare që do të shërbejë për planifikimin dhe vlerësimin e politikave të sigurisë rrugore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat