Analiza Postuar më 29 Korrik 2026, 11:22

Gjithnjë e më shumë biznese drejt tregjeve të huaja/ Ndërmarrjet mikro mbizotërojnë, peshën kryesore e mbajnë kompanitë e mëdha

Nga SCAN TV

Numri i ndërmarrjeve shqiptare që eksportojnë dhe importojnë mallra ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke reflektuar një zgjerim të aktivitetit të biznesit në tregtinë e jashtme. Sipas të dhënave të INSTAT, ndërmarrjet mikro dhe të vogla vazhdojnë të përbëjnë pjesën dërrmuese të kompanive që operojnë në tregtinë ndërkombëtare, ndërsa ndërmarrjet e mëdha mbeten të pakta në numër.

Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës 2021–2025 numri i ndërmarrjeve eksportuese arriti 3,809, me një shtesë prej 0.7% krahasuar me vitin 2024 dhe 19.6% krahasuar me vitin 2021. Pjesën më të madhe të eksportuesve e zënë ndërmarrjet mikro me 50.6% të totalit, të ndjekura nga ndërmarrjet e vogla me 33.4%, ndërmarrjet e mesme me 13.5% dhe ndërmarrjet e mëdha me vetëm 2.5%.

Edhe numri i ndërmarrjeve importuese ka vijuar të rritet. Në vitin 2025 u regjistruan 15,225 kompani importuese, ose 3.3% më shumë se një vit më parë dhe 25.7% më shumë krahasuar me vitin 2021. Ashtu si në eksporte, edhe në importe dominojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat përfaqësojnë 98.9% të totalit të kompanive importuese.

Nga këto, ndërmarrjet mikro zënë peshën më të madhe me 70.2%, ndërmarrjet e vogla përbëjnë 22.4%, ndërmarrjet e mesme 6.3%, ndërsa ndërmarrjet e mëdha vetëm 1.1%.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për vlerën e tregtisë, pesha ndryshon ndjeshëm. Në importe, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha realizojnë pjesën më të madhe të vlerës së mallrave të importuara, ndërsa ndërmarrjet mikro, edhe pse janë më të shumta në numër, kontribuojnë me një pjesë më të vogël të volumit tregtar.

Në eksporte, ndërmarrjet me 50–249 të punësuar mbajnë peshën kryesore me rreth 41% të totalit të vlerës së eksporteve, ndërsa ndërmarrjet e mëdha me mbi 250 të punësuar kontribuojnë me rreth 27%. Nga ana tjetër, ndërmarrjet mikro realizojnë vetëm 11% të eksporteve, çka tregon se kompanitë me përmasa më të mëdha vazhdojnë të kenë ndikimin më të madh në vlerën e tregtisë së jashtme.

Të dhënat konfirmojnë se baza e biznesit shqiptar në tregtinë e jashtme po zgjerohet, me gjithnjë e më shumë ndërmarrje që hyjnë në aktivitetet eksportuese dhe importuese.

Gjithnjë e më shumë biznese drejt tregjeve të huaja/

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat