Shqipëria Postuar më 9 Maj 2026, 09:33

Përfundon programi që ringriti shkollat pas tërmetit - Nga Kavaja në Shijak, 63 objekte arsimore u transformuan me mbështetjen e BE

Nga Ledina Elezi

Përfundon programi që ringriti shkollat pas tërmetit - Nga Kavaja
Ka përfunduar programi më i madh i Bashkimit Evropian për arsimin në Shqipëri, “EU4Schools” (BE për Shkollat) i cili u zbatua për 6 vite me radhë nga UNDP, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Përmes projektit janë rindërtuar dhe riparuar 63 objekte arsimore, shkolla 9-vjeçare, të mesme dhe profesionale, kopshte, çerdhe apo konvikte. Projekti lindi pas tërmetit të vitit 2019 si një mbështetje që qytetarët evropianë i dhanë qytetarëve të Shqipërisë në 11 bashkitë e prekura, u shpreh Menaxherja e Programit EU4Schools, Egla Gollaj.

“Ajo që na bën neve më krenarë për këtë program, përveçse kemi ndërtuar më mirë dhe kemi ndërtuar së bashku, është fakti që ky program nuk ka qenë vetëm një porgram infrastrukture, por ka qenë edhe një program, i cili ka pasur komponentë të mësimnxënies dhe mësimdhënies, pra përmirësimit të shërbimeve arsimore”.

Gati 25 mijë nxënës dhe mësues kanë përfituar nga ky program. Thuajse të gjitha objektet arsimore janë pajisur me rampa dhe ashensorë, për të garantuar aksesin e fëmijëve me aftësi të kufizuar. Shkolla e Mesme me Orientim Sportiv “Benardina Qerraxhia” është shndërruar në një kompleks të ri shkollor me tre ndërtesa të veçanta, duke përfshirë një shkollë deri në katër kate, një palestër të brendshme për qëllime stërvitjeje dhe një palestër të brendshme olimpike, e vetmja e tillë në Shqipëri. Hapësirat e jashtme dhe palestrat e brendshme nuk mungojnë as në Shkollën 9-vjeçare “Mehmet Babamusta” në Kavajë apo Shkollën e Mesme me Orientim Gjuhësor “Asim Vokshi”. Programi është kujdesur që dhomat e infermierisë dhe të psikologjisë të jenë po ashtu të pranishme në Kopshtin Nr.2 në Shijak. Mësues, nxënës dhe prindër japin përshtypjet e tyre për Televizionin Scan, tashmë në mjedise më të sigurta, moderne dhe dinjitoze.

Emanuel Murati, President i Senatit të Shkollës “Asim Vokshi”:
“Realisht, për mua një ndër arsyet më të forta që erdha këtu te Gjuhët e Huaja ishin pikërisht kushtet. Kur erdha për të parë shkollën në fillim, m'u duk shumë shumë e bukur, shumë e re, pashë që kishte kushte, pashë që kishte kondicioner, që për neve është gjëja më e rëndësishme dhe pastaj është edhe pjesa e stafit, mësuesit m'u dukën shumë të mirë”.

Suela Guhaçaj, Drejtoreshë e Shkollës “Mehmet Babamusta”, Kavajë:
“Është një shkollë e cila ka ndryshuar totalisht, totalisht në pamje, totalisht në mentalitet. Ku qëndron kjo? Në motivimin që kanë mësuesit, stafi mësimor, duke punuar në kushte akoma shumë herë më të mira, në ambiente të pastra, në ambiente të rregullta, nëpër laboratorë, kanë ngrohje, kanë ftohje, ujë, tualetet janë shumë të pastra, fëmijët vijnë me qejf, mësuesit po ashtu, pra është një ambient i sigurt”.

Prind i një prej fëmijëve, Kopshti Nr.2 “Shtojzovallet”, Shijak:
“Pastërtia është në maksimum, siguria është mjaft e madhe, kjo tregon kushtet shumë të përshtatshme, shumë bashkëkohore, tregon shumë për mirëqeninen e fëmijëve tanë që i sjellim cdo ditë në këtë kopësht, nuk kanë të krahasuar”.

Bashkimi Evropian i ka kushtuar 75 milionë euro objekteve arsimore të prekura nga tërmeti në Krujë, Durrës, Kurbin, Kamzë, Kavajë, Tiranë, Mirditë, Lezhë, Rrogozhinë, Shijak dhe Vorë. Programi “EU4Schools” u bazua në dy parime kryesore: “Rindërtojmë më mirë” që nënkupton ndërtimin e strukturave më të forta që mund t’iu rezistojnë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke pasur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë, si dhe “Rindërtojmë së bashku” që nënkupton ofrimin e mundësive për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve të tyre arsimore dhe për ta “përshtatur” projektin sipas nevojave të tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat