Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 14:15

Nga krimi te shërbimi ndaj komunitetit – AAPSK hap thirrjen për projekt-ide sociale mbi pasuritë e konfiskuara!

Nga SCAN TV

Nga krimi te shërbimi ndaj komunitetit – AAPSK hap thirrjen për

Pasuritë e konfiskuara nga aktivitetet kriminale pritet të kthehen në instrumente për zhvillim dhe përfshirje sociale. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka shpallur një thirrje publike për paraqitjen e projekt-ideve, me fokus ripërdorimin social të pasurive që ndodhen aktualisht në administrim të saj.

Kjo iniciativë vjen si një përpjekje konkrete për të transformuar pasuritë e përfituara përmes paligjshmërisë në hapësira me vlerë për komunitetin, në shërbim të shtresave në nevojë, viktimave të krimit të organizuar, si dhe fëmijëve e të rinjve që jetojnë në komunitete të prekura.

Sipas AAPSK, qëllimi i kësaj thirrjeje është të nxisë ide kreative me ndikim real në terren dhe që kanë potencialin të shndërrohen në projekte konkrete, të zbatueshme dhe të qëndrueshme. Projekti përfitues do të gëzojë mbështetjen dhe ndërmjetësimin e Agjencisë në raport me donatorë dhe fondacione të interesuara për të investuar në drejtësi sociale dhe zhvillim komunitar në Shqipëri.

Kush mund të aplikojë?

Thirrja është e hapur për një gamë të gjerë aktorësh, përfshirë:

                • Institucione qendrore dhe njësi të qeverisjes vendore;

                • Organizata të shoqërisë civile që ofrojnë ndihmë ndaj viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;

                • OJF që veprojnë në fushën e rehabilitimit të shtresave në nevojë, përdoruesve të substancave narkotike apo viktimave të trafikimit, të cilat kanë një histori aktive të paktën trevjeçare në fushat përkatëse.

AAPSK nënvizon se kjo thirrje është një mundësi për këdo që ka një ide të vlefshme dhe vizion për ta kthyer një pronë të konfiskuar në një hapësirë që i shërben të mirës publike.

Si mund të aplikohet?

Të interesuarit duhet të dorëzojnë projekt-idetë pranë AAPSK brenda 20 ditëve nga data e publikimit të thirrjes. Aplikimi duhet të përmbajë: përshkrimin e idesë dhe qëllimin; objektivat dhe grupin përfitues; formën e përdorimit të pronës; afatet e zbatimit; si edhe kapacitetet e zbatuesit dhe partnerët e mundshëm.

Propozimet mund të jenë të thjeshta në përmbajtje, por duhet të tregojnë qartësisht ndikimin që parashikohet dhe mënyrën sesi prona e konfiskuar mund të shndërrohet në një vlerë të shtuar për komunitetin. AAPSK do të ofrojë mbështetje orientuese për të gjithë aplikuesit gjatë gjithë periudhës së thirrjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat