Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 12:38

Financimi për hekurudhën Durrës – Rrogozhinë - Qeveria miraton kredinë me BEI, segmenti pjesë e korridorit VIII

Nga Ola Mitre

Financimi për hekurudhën Durrës – Rrogozhinë - Qeveria

Qeveria ka miratuar marrëveshjen financiare me Bankën Evropiane të Investimeve për hekurudhën Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare për financimin e fazës së parë të projektit “Infrastruktura hekurudhore e Korridorit VIII – Shqipëri” u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, teksa hallka përfundimatre është diskutimi në komisionet parlamentare dhe miratimi në seancë plenare.

Marrëveshja, e nënshkruar në prill në Tiranë, përfshin një kredi prej 90 milionë euro nga BEI dhe është pjesë e një pakete të kombinuar financiare që arrin në 120.5 milionë euro. Pjesa tjetër e finacimit do të mbulohet nga një kredi e dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që mori miratimin nga BERZH vetëm pak ditë më parë.

Projekti synon rehabilitimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment prej 34 kilometrash. Linja do të elektrifikohet dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar udhëtime me tren me shpejtësi deri në 120 km/h. Investimi është pjesë e Korridorit VIII, një bosht strategjik pan-evropian që lidh Italinë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke shërbyer si nyje për transportin e udhëtarëve, mallrave dhe potencialisht për qëllime të mobilitetit ushtarak.

Përtej përfitimeve ekonomike dhe strategjike, projekti pritet të ketë ndikim pozitiv në mjedis përmes zhvendosjes së trafikut nga rrugët në hekurudha, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen dhe emetimet e karbonit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat