Shqipëria Postuar më 17 Shtator 2025, 15:19

Nesër në Kuvend, Ekonomia, Zhvillimi Social dhe Integrimi: tre prioritetet e mëdha qeverisëse

Nga SCAN TV

Nesër në Kuvend, Ekonomia, Zhvillimi Social dhe Integrimi: tre

TRE SHTYLLAT E PROGRAMIT QEVERISËS ‘RAMA 4’

SHQIPËRIA EUROPIANE, RRITJA EKONOMIKE DHE MIRËQENIA PËR TË GJITHË

Kryeministri Rama prezanton në seancën plenare të Kuvendit Programi Qeverisës. Dokumenti  bazohet në tre shtylla: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.

 

1.      Shqipëria Europiane është shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme. Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa mbi të gjitha është përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e tyre të përditshme – në punën që bëjnë, në shërbimet që marrin, në të drejtat që gëzojnë dhe në sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë.

2.      Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore – që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi.

3.      Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme.

 

1.      Shqipëria evropiane: Integrimi brenda 2030, mision kombëtar

Shtylla kryesore e programit qeverisës “Rama 4” është integrimi në BE. Objektivi është anëtarësimi i plotë brenda vitit 2030, që qeveria e sheh si mision kombëtar, i cili do të riformatojë shtetin në themel, duke forcuar institucionet, përmirësuar shërbimet publike dhe rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. 

Plani parashikon, ashtu siç e ka theksuar kryeministri, përmbylljen e kapitujve dhe negociatave deri në vitin 2027, për të vijuar më pas me nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2028 dhe ratifikimin e tij nga parlamentet e vendeve anëtare.

Shteti Digjital dhe siguria kibernetike. Qeveria synon një transformim dixhital, ku çdo qytetar dhe biznes do të ketë akses të sigurt e të thjeshtë në shërbime publike nga telefoni apo kompjuteri. Synohet që me e-Albania 2.0, shërbimet do të ofrohen sipas modelit “life events”. Të gjitha shërbimet publike, edhe ato vendore, do të digjitalizohen, ndërsa prokurimet publike do të bëhen përmes një sistemi tërësisht të automatizuar me inteligjencë artificiale për të eliminuar korrupsionin. Në shëndetësi, do të krijohet Dosja Elektronike për çdo qytetar. Digjitalizimi do të shtrihet edhe në fusha të tjera si financat, bujqësia, drejtësia dhe emergjencat civile, duke përdorur AI. Synohet krijimi i Portofolit të Identiteti Dixhital të vlefshëm në BE nga viti 2027, Platforma e Bashkëqeverisjes të fuqizuar nga AI, implementimi i European Case Laë Identifier (ECLI) për sistemin gjyqësor, si dhe apostilimin elektronik. 

Administrata publike, Antikorrupsioni dhe Transparenca. Qeveria synon administratë “pa letër”, me digjitalizim të plotë, automatizim të pagave e rekrutime meritokratike, parandalim të korrupsionit në sektorë kyç, transparencë të plotë me “Transparent Albania” dhe Prokurim Smart të bazuar në inteligjencë artificiale.

Drejtësia dhe të drejtat themelore. Qeveria synon forcimin e reformës në drejtësi përmes miratimit të Kodit të ri Penal e Civil të përafruar me BE-në, funksionalizimit të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve me module të AI deri në 2028, modernizimit të infrastrukturës gjyqësore, zbatimit të Masterplanit të Burgjeve dhe ngritjes së Institutit për Edukimin e Rehabilitimin e të Miturve sipas standardeve europiane.

Politika e jashtme dhe diaspora. Qeveria synon që të thellojë partneritetin strategjik me SHBA, BE, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar si dhe organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë më 2027. Synohet gjithashtu zgjerimi i rrjetit diplomatik me 10 përfaqësi të reja deri në 2029, dyfishimi i investimeve të huaja dhe promovimi i identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare përmes diplomacisë kulturore e shkencore.

Mbrojtja dhe siguria kombëtare. Synohet forcimi i Forcave të Armatosura me paga që arrijnë mesataren e NATO-s deri në 2029 dhe zhvillimi i industrisë ushtarake “Made in Albania” për municione, armatime, mjete të blinduara e sisteme pa pilot. Qeveria synon që të zgjerojë kapacitetet detare me tre anije të reja, dy avionë zjarrfikës dhe katër qendra të reja rajonale të emergjencave civile.

Siguria publike. Qeveria synon të përafrojë legjislacionin me BE-në kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, duke funksionalizuar projektin “Smart City” për uljen e kohës së reagimit policor dhe duke rritur sigurinë rrugore me 30% më pak fatalitete deri në 2030. Parashikohet përdorimi i Hartës Digjitale të Kriminalitetit, përdorimi i pasurive kriminale për investime komunitare, modernizimi i dokumenteve biometrike, menaxhimi i kufijve sipas standardeve të Schengen-it dhe ngritja e qendrave kombëtare për zjarrfikësit dhe trajnimin emergjent.

 

 

2.      Rritja Ekonomike e Qëndrueshme: ‘Paqja fiskale’, Paketa e Maleve, 2 mld euro kredi dhe garanci për biznesin, zhvillimi turizmit

Një prej tre shtyllave kryesore të programit është rritja ekonomike dhe e qëndrueshme. Qeveria Rama 4 synon të rrisë të ardhurat për frymë për qytetarët me rreth 40%, duke i çuar në 15.000 euro deri në vitin 2029.

Synohet rritja ekonomike me rreth 4% në vit duke e çuar prodhimin e brendshëm bruto në 35 miliardë euro deri në fund të mandatit.

Paqe fiskale. Siç e pati paralajmëruar edhe gjatë fushatës, përmes programit ekonomik, qeveria e PS synon të çelë një kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare përmes marrëveshjeve disa-vjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta duke zbatuar “Paqen Fiskale” 2026–2029: faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet; skemën e riparimit të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara;

Paketa e Maleve. Do të vijohet me politikën e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029. Po ashtu, në program thuhet se do rishikohet skema e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët.

Parashikohen 2 miliardë euro kredi dhe garanci për bizneset, përmes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit, për të rritur investimet dhe prodhimin vendas. Një buxhet prej 1.18 miliardë eurosh për Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3), për të orientuar fondet kombëtare dhe ato të BE-së drejt fushave me avantazh konkurrues, duke mundësuar rritje të qëndrueshme, më shumë projekte inovative dhe integrim të plotë me tregjet evropiane.

Me Paketën e Maleve qeveria Rama synon zhvillimin e investimeve në zonat malore duke lehtësuar marrjen e lejes së ndërtimit për poseduesit që duan të investojnë, si dhe marrjen e dokumenteve për pronën e familjeve. Për 500 sipërmarrësit e parë përfitues, nga paketa, taksat do të jene zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para.

Turizmi. Qeveria ‘Rama 4’ synon të ndërtojë 20 marina të reja nga Velipoja në Ksamil, me synimin për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion lider për turizmin detar në Mesdhe. Në programin qeverisës që disponon Shqiptarja.com, i cili do të prezantohet nesër në Kuvend, thuhet se edhe Porti i Durrësit do të transformohet në një qendër moderne për kroçera dhe jahte luksoze.

Me strategjinë e re Shqipëria Turistike 2030, synohet ndarja e vendit në 6 rajone turistike.

Orientojmë politikat dhe investimet në turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

• Krijojmë, menaxhojmë dhe brandojmë Shqipërinë në 6 rajone turistike sipas strategjisë Shqipëria Turistike 2030, duke garantuar ofertë të diversifikuar dhe standarde të larta ndërkombëtare.

• Transformojmë Portin e Durrësit në një qendër moderne për kroçera dhe jahte luksoze.

• Ndërtojmë 20 marina të reja nga Velipoja në veri deri në Ksamil në jug, duke e bërë Shqipërinë një destinacion lider për turizmin detar në Mesdhe.

• Dyfishojmë netëqëndrimet turistike, duke gjeneruar mbi 6.6 miliardë euro të ardhura vjetore deri në vitin 2030.

• Zhvillojmë turizmin malor në Alpe dhe zona natyrore, duke e bërë Shqipërinë destinacion për sporte dimërore dhe eksperienca unike.

• Investojmë në promovimin e siteve të trashëgimisë kulturore dhe dixhitalizimin e kalendarëve kulturorë, duke e bërë Shqipërinë një “muze të hapur”.

• Konsolidojmë infrastrukturën logjistike për të kthyer Shqipërinë në një pol të konferencave, panaireve dhe ekspozitave ndërkombëtare.

• Relizojmë Platformën Digjitale të Integruar të Turizmit, që përfshin:

o Regjistrin kombëtar digjital të turizmit për sipërmarrjet.

o Platformën e-Visitor për regjistrimin elektronik në kohë reale të vizitorëve.

o Sistemin elektronik të të dhënave në turizëm për statistika të sakta dhe

vendimmarrje më efikase.

• Themelojmë Akademinë Ndërkombëtare të Turizmit dhe Mikpritjes, në bashkëpunim me UN Tourism, për të formuar brezin e ri të profesionistëve.

• Sigurojmë një administrim më të drejtë të plazheve, duke garantuar më shumë hapësira publike dhe qetësi për pushuesit.

 

 

3.      Mirëqenia për të Gjithë: Rritje pagash e pensionesh, modernizim i arsimit dhe shëndetësisë 

 

Pagat. Në vitin 2026 paga minimale në vend do të rritet nga 400 euro aktualisht në 500 euro. Kjo parashikohet në programin e ri qeverisës të socialistëve. Po ashtu në program thuhet se për 18 muajit e parë të aplikimit të kësaj rritjeje, nuk do të ketë asnjë taksë shtesë. Pra shteti do paguaj kontributet për diferencën mes 400 dhe 500 euro, në mënyrë që të mos rëndohet as punëdhënësi as punëmarrësi.

“Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta”, thuhet në dokument.

Kurse paga mesatare nga rreth 840 euro aktualisht, në dokument parashikohet të arrij në 1000 euro në vitin 2030, si dhe të vijohet me një tjetër reformë pagash në administratën publike.

“Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €”, parashikohet në dokument.

Ndërsa për papunësinë është parashikuar ulje e papunësisë së përgjithshme në 6% deri në 2030 nga 8.5% që është aktualisht.

Pensionet. Pension mesatar 400 euro dhe minimal 200 euro deri në 2029, dixhitalizim të sistemit të sigurimeve
Deri në vitin 2029, qeveria parashikon që pensioni mesatar të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni minimal në 200 euro. Qeveria Rama 4 synon dixhitalizimin e plotë të sistemit të sigurimeve shoqërore, me regjistër elektronik dhe shërbime online, duke rritur transparencën dhe gjurmueshmërinë.

Prioritetet kryesore: 

-          Të garantohet deri në fund të vitit 2029 pension mesatar prej rreth 400 euro për kontribuesit e plotë dhe pension minimal 200 euro, si pjesë e paketës së mbrojtjes sociale.

-          Digjitalizimi i plotë i sistemit të sigurimeve shoqërore (Regjistër elektronik, shërbime online end-to-end), për transparencë dhe gjurmueshmëri.

-          Ulja e informalitetit në tregun e punës përmes nxitjes së deklarimit të pagave reale dhe këshillimit sistematik të punëdhënësve/punëmarrësve, për të rritur bazën e kontributeve.

-          Përdorim sistematik i bonuseve sipas zhvillimeve ekonomike.

-          Pensionet do të mbulojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara gjatë viteve të punës, deri në vitin 2030 në përputhje me standardet europiane/ILO.

-          Portabilitet ndërkufitar i përfitimeve: përfundimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë të pensioneve

Programet sociale. 1500 banesa të reja deri në 2029, për herë të parë një qendër për të rriturit me autizëm! Çfarë përfshin programi qeverisës 'Rama 4' për politikat sociale
Programi parashikon ndërtimin e 1,500 banesave me kosto të ulët deri në 2029, zgjerimin e fondit për banesat sociale si dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara për këtë qëllim. 

Gjatë këtij mandati, qeveria synon të forcojë mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara me pagesa të dyfishta dhe shërbime të integruara, si dhe krijimi i qendrave për fëmijët dhe të rriturit me autizëm. Synon që të zhvillojë edhe një sistem digjital për menaxhimin e mbrojtjes sociale, dhe të miratojë një paketë të re për familjet e reja me subvencione për strehim e kredi të buta. 

Gjithashtu, synohet që të rriten shpenzimet sociale për grupet vulnerabël, të nxisin programet e punësimit për gratë dhe në zonat rurale, si dhe të shtojnë shërbimet për të moshuarit. 

Disa nga prioritetet kryesore:

- Ndërtojmë të paktën 1,500 njësive të reja banimi me kosto të ulët deri në vitin 2029.

- Zgjerojmë mbështetjen sociale për personat me aftësi të kufizuara, duke garantuar akses në arsim, punësim dhe shërbime publike.

- Dyfishojmë pagesat per fëmijët me aftësi të kufizuara duke kombinuar gjithashtu përfitimet financiare me shërbime të integruara si dhe rishikojmë asistencën personale.

- Zgjerojmë shërbimet për personat me spektër autizmi, duke ngritur qendra të reja për fëmijët dhe krijuar për herë të parë një qendër të dedikuar për të rriturit, për të siguruar mbështetje të specializuar dhe gjithëpërfshirëse në jetën e tyre të përditshme.

- Zhvillojmë një sistem digjital për menaxhimin e mbrojtjes sociale, për transparencë dhe gjurmueshmëri.

- Ndërtojmë një pakete të re për mbështetjen e familjes së re, që përfshin subvencione për strehim dhe akses më të lehtë në kredi të buta.

- Zgjerojmë rrjetin e shërbimeve sociale me 40 shërbime të reja për të garantuar mbulim më të mirë gjeografik

Shëndetësia. Rindërtim i të gjitha qendrave shëndetësore brenda 2029, rritje pagash për bluzat e bardha në 25%. Programi i qeverisë Rama 4 për shëndetësinë synon rindërtimin e të gjitha qendrave shëndetësore deri në vitin 2029 dhe transformimin e QSUT në qendër ekselence rajonale. Fokus është Shëndetësia Digjitale me receta elektronike dhe sisteme të integruara, rritja e pagave të mjekëve e infermierëve me 25%.

Qeveria synon të zgjerojë shërbimet falas për kontrollin bazë dhe pensionistët, të forcojë kapacitetet diagnostikuese e spitalore dhe harmonizimin me mekanizmat e BE-së për krizat shëndetësore.  Një tjetër objektiv është që të sigurohet akses universal në barna moderne, rritja e personelit mjekësor dhe zhvillimi i shërbimeve të shëndetit mendor me bazë komunitare.

Disa nga prioritetet kryesore në shëndetësi: 

- Rindërtojmë plotësisht të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat deri në vitin 2029.

- Bëjmë realitet Shëndetësinë Digjitale, me receta dhe referime elektronike, sisteme të integruara spitalore dhe regjistra kombëtarë, që shërbimi të jetë më i shpejtë, më transparent dhe i harmonizuar me standardet më të avancuara të Bashkimit Europian.

- Programi i Kontrollit Shëndetësor Bazë do të vazhdojë të ofrohet falas, ndërkohë për të gjithë pensionistët nuk do të ketë më limit moshe.

- Rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve me 25% deri në vitin 2029 për të ruajtur konkurrueshmërinë.

- Realizojmë harmonizimin me mekanizmat europianë të reagimit ndaj krizave shëndetësore, për një mbrojtje më të mirë ndaj epidemive dhe pandemive.

- Rrisim numrin e mjekëve dhe infermierëve në sistem, duke u afruar standardeve të BE-së për raportin në numër banorësh.

- Sigurojmë aksesin universal në barnat dhe trajtimet moderne e inovatore, duke garantuar cilësi dhe mbulim të barabartë për të gjithë qytetarët.
 Arsimi. Paga mesatare e mësuesve 1250 euro, integrim të AI, shoqëri publike për transportin, programe ushqimi dhe 'after school'! Theksohet synimi për të rritur pagat e mësuesve në 1,250 euro deri në 2029, ndërtimi i 200 shkollave të reja dhe 1 mijë laboratorëve inteligjentë. 

Një tjetër objektiv i qeverisë është dixhitalizimi i arsimit dhe testimeve, kurrikula të reja me Inteligjencë Artificiale dhe integrimi në mësimdhënie, zgjerimi i shërbimeve online.  Pritet të ngrihet edhe një agjenci e specializuar dhe e certifikuar sipas standarteve ndërkombëtare, që do të bëjë të mundur njohjen automatike të diplomave. 

Programi parashikon gjithashtu programe ushqimi pas shkollore dhe në çdo bashki, ngritjen e një shoqërie publike të transportit shkollor dhe ofrimin e këtij shërbimi falas për nxënësit dhe mësuesit që jetojnë larg institucioneve arsimore. Synohet edhe dyfishimi i nxënësëve në arsimin profesional, dhe përfshirja e diasporës në hartim politikash, mësimdhënie dhe kërkim shkencor.

Disa nga prioritetet kryesore për arsimin:

- Zbatojmë programin e ushqimit në çdo bashki qendër qarku dhe nisim një program të ri pas-shkollor (after school), brenda mandatit të katërt.

- Zhvillojmë kurrikula të reja ku teknologjia digjitale, inovacioni dhe inteligjenca artificiale janë pjesë integrale, ndërsa të gjithë mësuesit trajnohen për t’i zbatuar ato me aftësi digjitale dhe metoda bashkëkohore të mësimdhënies.

- Digjitalizojmë arsimin dhe integrojmë inteligjencën artificiale në mësimdhënie e mësimnxënie, duke siguruar tekste shkollore online përmes platformës SMIP dhe shërbime digjitale të plota nga regjistrimet deri te komunikimi me prindërit.

- Ngremë shoqërinë publike të transportit shkollor dhe nisëm ofrimin e transportit falas për nxënësit dhe mësuesit që udhëtojnë në distancë nga vendbanimi i tyre, në zona të caktuara.

- Dyfishojmë numrin e nxënësve në arsimin professional duke investuar 60 milionë euro do në ndërtimin e shkollave profesionale dhe instalimin e laboratorëve teknikë.

- Arrijmë që 35% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të ndjekin arsimin profesional dhe garantojmë që deri në vitin 2030 të gjithë nxënësit e arsimit profesional të kenë konvikte me standarde europiane.

- Përfshijmë diasporën akademike në hartim politikash, mësimdhënie dhe kërkim shkencor, përmes programeve qeveritare, që përcjellin eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe krijojnë ura bashkëpunimi.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat