Shqipëria Postuar më 9 Tetor 2025, 12:37

Në fokus, pensionet, infrastruktura dhe ushtria - Nis puna për hartimin e buxhetit 2026, cilët janë sektorët që do financohen më shumë

Nga Elisabeta Dosku

Në fokus, pensionet, infrastruktura dhe ushtria - Nis puna për

Qeveria shqiptare ka nisur zyrtarisht procesin për hartimin e Buxhetit të Shtetit 2026, dokumenti më i rëndësishëm financiar i vitit që përcakton mënyrën se si do të shpërndahen fondet publike dhe cilat do të jenë prioritetet ekonomike të vendit.

Referuar burimeve nga Ministria e Financave, grupet e punës janë në fazën e analizave, duke shqyrtuar të ardhurat, shpenzimet dhe projeksionet e rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm.

Fondet do të shpërndahen për 16 ministri, nga 12 që kanë qenë deri më tani.

Referuar edhe dokumentit të buxhetit afatmesëm, deri në vitin 2028,  pjesa më e madhe e buxhetit për vitin e ardhshëm do të shkojë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, infrastrukturën dhe energjinë,  arsimi, pensionet, programet e punësimit si dhe fuqizimin e ushtrisë.

Arsimi parashikohet të një nga sektorët me rritjen më të madhe të fondeve. Kjo për shkak të planifikimit për rritjen e pagave për mësuesit dhe investime të reja në infrastrukturën shkollore, me qëllim përmirësimin e kushteve të mësimdhënies në të gjithë vendin.

Në të njëjtën linjë, shëndetësia do të përfitojë nga shtesa të ndjeshme buxhetore. Pjesë e planit janë modernizimi i spitaleve rajonale, rritja e mbështetjes për mjekët e rinj dhe investimi në pajisje mjekësore bashkëkohore.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e buxhetit të ardhshëm është infrastruktura, me fokus në përmirësimin e rrugëve kombëtare dhe rajonale,  dhe financimi i projekteve në vijim si dhe projekteve të reja.

Vëmendje do të shtuar do të marrin edhe shpenzimet për mbrojtjen, kryesisht rritje të buxhetit do të kenë forcat të luftimit, duke përmbushur detyrimet e Shqipërisë  ndaj NATO-s për një buxhet mbi nivelin 2 % të PBB-së për ushtrinë.

Pavarësisht rritjes së planifikuar të investimeve, qeveria ka konfirmuar se do të vijojë disiplinën fiskale dhe uljen graduale të borxhit publik. Synimi është ruajtja e stabilitetit financiar dhe forcimi i besueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë javëve në vijim, ministritë e linjës, pushteti vendor dhe partnerët ekonomikë do të të kenë mundësinë që të paraqesin nevojat që kanë për financim.

Drafti i parë i buxhetit pritet të publikohet në nëntor, ndërsa miratimi përfundimtar në Kuvend synohet të bëhet para fundit të vitit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat