Shqipëria Postuar më 24 Dhjetor 2025, 14:10

Mbështetje për gratë kryefamiljare dhe familjet me asistencë në qarkun e Elbasanit

Nga SCAN TV

Mbështetje për gratë kryefamiljare dhe familjet me asistencë

Fëmijët nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe nëna kryefamiljare në qarkun e Elbasanit së bashku festat e fundvitit.

Aktiviteti, i organizuar me rastin e festave të fundvitit, nuk ishte vetëm një moment gëzimi për fëmijët, por edhe një hapësirë dialogu dhe informimi për gratë kryefamiljare.

E pranishme në këtë takim, deputetja e qarkut Elbasan, Sara Mila, theksoi se do të jetë pranë këtyre familjeve për çdo lloj mbështetjeje që u nevojitet, veçanërisht për t’i ndihmuar të dalin nga skema e ndihmës ekonomike përmes punësimit dhe trajnimit profesional.

“Ne do të jemi gjithmonë pranë për t’ju ndihmuar. Edhe sot, pavarësisht se është një ditë feste, do të kemi mundësinë të ulemi dhe të shohim të gjitha alternativat që ofron zyra e punës, qoftë për punësim, qoftë për trajnime profesionale. Nuk jam thjesht përfaqësuesja juaj në Parlamentin e Shqipërisë, jam njëra nga ju. Jam një nënë që punon fort, që përpiqet me shembullin e saj të rrisë një fëmijë të pavarur, sepse duhet të mësojmë të mbështetemi te forca jonë dhe te aftësitë tona”, u shpreh deputetja Mila.

Drejtoresha Zyra e Punës Elbasan, znj Marsida Hyseni, e pranishme në këtë takim ofroi informacion mbi të gjitha programet e mbështetjes dhe mekanizmat se si këto familje të munden të përfitojnë.

Mbështetje për gratë kryefamiljare dhe familjet me asistencë

“Zyra e punës ofron programe të posaçme për nxitjen e punësimit për nënat që kanë kujdesin e fëmijëve, të të moshuarve apo familjarëve të tjerë dhe që nuk kanë mundësi të punojnë me orar të zgjatur. Këto programe ju ndihmojnë të paktën për një vit, për t’u integruar gradualisht në tregun e punës. Punësimi sot do të thotë siguri nesër, pension dhe pavarësi ekonomike. Përveç kësaj, ofrojmë formim profesional falas në qendrat tona, duke iu përshtatur edhe profilit industrial dhe ekonomik të qytetit të Elbasanit”, theksoi Hyseni.

Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e dhuratave për fëmijët, duke sjellë buzëqeshje, gëzim dhe ngrohtësi në këtë fundvit për familjet në nevojë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat