Shqipëria Postuar më 24 Dhjetor 2025, 11:32

400 milionë euro shtesë në buxhet - 11-mujori/Çfarë ndikoi në rritjen e të ardhurave?

Nga Elisabeta Dosku

400 milionë euro shtesë në buxhet - 11-mujori/Çfarë

Buxheti i shtetit ka arkëtuar 687.7 miliardë lekë në 11 muajt e vitit, duke siguruar një rritje të të ardhurave prej 39.7 miliardë lekë apo afro 400 milionë euro krahasuar më një vit më parë.

 Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, tregojnë se të ardhurat janë realizuar në masën 99 % të planit të periudhës.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Nëntor 2025, u realizuan në shumën 235 miliardë lekë, 27.5 miliardë lekë ose 13.3% më shumë se Janar-Nëntori i vitit 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 1.9 miliardë lekë më shumë.

Tatimi mbi të ardhurat personale, ka qenë zëri me perfomancën më të mirë, duke reflektuar zgjerimin e bazës së taksapaguesve, luftën ndaj informalitetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat. Në 11 mujor nga ky zë janë mbledhur 75.9 miliardë lekë, apo 26.2% më shumë se periudha Janar-Nëntor 2024, si dhe 1.9 miliardë lekë omë shumë se plani i periudhës.  Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 63.6 miliardë lekë, 8.9 miliardë lekë ose 16.3% më shumë se një vit më parë, çka reflekton dhe rritje të konsumit në vend.  Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u realizuan në shumën 163.4 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë ose 11.4% më shumë se periudha e viti 2024, si dhe me realizim prej 100.5% të planit të periudhës. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 52.7 miliardë lekë, apo 3% më shumë se periudha Janar-Nëntor 2024.

Nga ana tjetër të ardhurat doganore doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), u realizuan në vlerën 218.2 miliardë lekë, 9.2 miliardë lekë ose 4.4% më shumë se Janar-Nëntori i vitit 2024. Nga TVSH import, u arkëtuan 144.2 miliardë lekë,  2.7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Nëntor 2025, janë realizuar në shumën 63.6 miliardë lekë, 5.8 miliardë lekë ose 10% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024. Nga renta minerare në eksport, u mblodhën 1.8 miliardë lekë dhe nga taksat doganore, 8.6 miliardë lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 638.6 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 91% e planit të periudhë. Ndërsa shpenzimet kapitale, rezultuan në rreth 76.6 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 20% më i lartë ose rreth 12.8 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet kapitale u realizuan në rreth 65.2% të planit vjetor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat