Shqipëria Postuar më 9 Korrik 2026, 11:18

KPP, të ketë në fokus konkurrencën në tenderë - Kuvendi kërkon analizë për procedurat me 1 ofertë dhe harmonizim me standardet e BE-së

Nga Ola Mitre

KPP, të ketë në fokus konkurrencën në tenderë -

Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Komisionit të Prokurimit Publik të përqendrojë vëmendjen te rritja e konkurrencës në procedurat e prokurimit publik, duke analizuar në mënyrë të detajuar fenomenin e tenderëve me një ofertë të vetme.

Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi për vitin 2026, KPP duhet të evidentojë faktorët që ndikojnë në nivelin e konkurrencës në procedurat e prokurimit, me fokus të veçantë rastet kur në garë paraqitet vetëm një operator ekonomik. Institucioni ngarkohet gjithashtu të raportojë për masat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura për zgjerimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë, rritjen e konkurrencës dhe garantimin e përdorimit sa më efikas të fondeve publike. Kjo analizë duhet t’i dorëzohet Kuvendit brenda muajit tetor 2026.

Një tjetër kërkesë lidhet me harmonizimin e praktikës së Komisionit të Prokurimit Publik me acquis të Bashkimit Evropian. Në raportimet e ardhshme vjetore, KPP duhet të pasqyrojë masat e ndërmarra për adresimin e rekomandimeve të progresraportit të Komisionit Evropian dhe të raporteve të SIGMA/OECD.

Rezoluta kërkon gjithashtu përmirësimin e aksesit të operatorëve ekonomikë në mekanizmat e ankimit administrativ, përmes reduktimit të rasteve të refuzimit të ankesave për shkaqe procedurale dhe rritjes së përdorimit të shërbimeve elektronike.

Në fushën e transparencës financiare, Kuvendi kërkon një analizë më të detajuar të të ardhurave të krijuara nga tarifat e ankimit, shumave të kthyera operatorëve ekonomikë dhe kontributit neto të këtyre të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat