Shqipëria Postuar më 29 Shtator 2025, 13:18

Korridori i VIII energjetik - Programi qeverisës: Ndërtimi i linjës nënujore me Italinë nis brenda këtij mandati

Nga Ola Mitre

Korridori i VIII energjetik - Programi qeverisës: Ndërtimi i

“Ndërtimi i linjës nënujore të transmetimit Shqipëri–Itali do të nisë brenda këtij mandati qeverisës”. Objektivi është parashikuar në programin e miratuar 2025 -2029, ku ndër të tjera thuhet se ky projekt do të mundësojë integrimin e plotë të vendit në tregun europian të energjisë.

Linja nënujore e transmetimit të energjisë elektrike Shqipëri-Itali është pjesë e korridorit 8, që lidh Evropën me Bullgarinë, duke kaluar përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sikurse për projektet rrugore e hekurudhore, edhe linjat e transmetimit energjetik ndjekin të njëjtën gjurmë kalimi, duke nisur nga Bari e Brindisi në Itali, për të vazhduar në Vlorë e Durrës, drejt Elbasanit, Qafë Thanës ku bëhet lidhja me Maqedoninë e Veriut e për të përfunduar në Varna e Burgas në shtetin bullgar.

Zhvillimet e para konkrete për ndërtimin e kabllos nënujore Itali – Shqipëri u shënuan në 24 maj 2007, por pas shumë vitesh projekti u rikthye në vëmendje në vitin 2023, kur përmes një takimi të zhvilluar nga OST shqiptare me drejtuesen e Operatorit të Sistemit të Transmetimit Italian (TERNA), u nda mendimi i përbashkët mbi nisjen e punës për hartimin e projektit të fizibilitetit teknik dhe ekonomik. Po ashtu, në dhjetor 2023 u njoftua arritja e dakordësisë me qeverinë italiane dhe me Emiratet e Bashkuara, që kishin vendosur të ishin pjesë e projektit, për ndërtimin e kësaj linje energjetike. Gjithashtu, në gusht të vitit 2024 u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të operatorëve të transmetimit të 2 vendeve. Gjatë takimit u theksua se linjat e interkoneksionit janë tejet të rëndësishme, jo vetëm në aspektin energjetik, por edhe në marrëdhëniet gjeopolitike.

Aktualisht, sistemi shqiptar i transmetimit është i lidhur me sistemet fqinje të Kosovës, Malit të Zi dhe Greqisë, me 6 linja interkoneksioni të shkëmbimit ndërkufitar, ndërsa në proces është edhe lidhja me Maqedoninë e Veriut.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat