Shqipëria Postuar më 5 Maj 2026, 12:07

Kooperativat e energjisë drejt ngritjes - Ligji i ri i hap rrugë krijimit të komuniteteve energjetike të qytetarëve

Nga Ola Mitre

Kooperativat e energjisë drejt ngritjes - Ligji i ri i hap rrugë

Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, i nxjerrë për konsultim publik, synon të krijojë bazën ligjore për ngritjen e komuniteteve energjetike të qytetarëve, të njohura ndryshe edhe si kooperativa të energjisë.

Sipas draftit, qytetarët do të kenë të drejtë të bashkohen në struktura të përbashkëta për të prodhuar, konsumuar, depozituar dhe shitur energji elektrike, si dhe për të ndarë energjinë e prodhuar mes anëtarëve të komunitetit. Këto komunitete mund të operojnë drejtpërdrejt në treg ose përmes agregimit, duke u trajtuar si aktorë aktivë në sistemin energjetik.

Projektligji parashikon që pjesëmarrja në komunitetet energjetike të jetë e hapur dhe vullnetare, ndërsa anëtarët ruajnë statusin e tyre si klientë fundorë dhe kanë të drejtë të largohen nga komuniteti në çdo moment. Po ashtu, familjet në nevojë parashikohet të përfshihen dhe të përfitojnë nga këto struktura.

Një element i rëndësishëm lidhet me të drejtat e këtyre komuniteteve për të menaxhuar dhe përdorur rrjetin e shpërndarjes në zonën e tyre, në përputhje me rregullat që do të përcaktohen nga autoritetet. Në këtë kuadër, operatorët e sistemit të shpërndarjes do të duhet të bashkëpunojnë për të lehtësuar transferimin e energjisë brenda komuniteteve, ndërsa tarifat duhet të jenë transparente, proporcionale dhe jo-diskriminuese.

Ngritja e komuniteteve energjetike të qytetarëve shihet si një hap drejt decentralizimit të prodhimit të energjisë dhe rritjes së rolit të qytetarëve në treg.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat