Shqipëria Postuar më 5 Maj 2026, 11:44

Rritet ndjeshëm prodhimi i energjisë 3-mujori - 2026/ Shtohen edhe eksportet, të favorizuara nga kostot e karbonit

Nga Ola Mitre

Rritet ndjeshëm prodhimi i energjisë 3-mujori - 2026/ Shtohen edhe
Prodhimi i energjisë elektrike pësoi rritje të ndjeshme në 3 muajt e parë të këtij viti, e nxitur kryesisht nga kushtet e favorshme hidrike. Sipas një raporti të sapopublikuar nga Komuniteti i Energjisë, prodhimi nga hidrocentralet në vend u rrit me rreth 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 3.27 tWh nga 1.93 tWh. Kjo rritje ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve të energjisë elektrike drejt vendeve fqinje.

Të dhënat tregojnë se vendi ynë ka zgjeruar ndjeshëm eksportet në të gjitha drejtimet, përfshirë Greqinë, Kosovën dhe Malin e Zi, duke realizuar një rritje neto prej rreth 1.2 tWh në krahasim me vitin 2025.

Një faktor që ka ndikuar në këtë performancë është edhe struktura e prodhimit të energjisë në Shqipëri, e bazuar pothuajse tërësisht në burime hidrike, çka e bën energjinë shqiptare më konkurruese në tregjet rajonale. Sipas raportit, kjo energji nuk i nënshtrohet kostove shtesë të mekanizmit të ri europian për karbonin (CBAM), duke i dhënë Shqipërisë një avantazh krahasuar me vendet që prodhojnë energji nga qymyri.

Rritja e prodhimit dhe eksporteve nga Shqipëria ka ndikuar edhe në ndryshimin e rrugëve të tregtisë së energjisë në rajon, ku një pjesë e energjisë shqiptare është kanalizuar drejt tregjeve të Bashkimit Evropian përmes Greqisë dhe korridoreve të tjera rajonale.

Megjithatë, raporti paralajmëron se këto zhvillime shoqërohen edhe me sfida për stabilitetin e rrjetit dhe koordinimin rajonal, për shkak të rritjes së flukseve ndërkufitare dhe ndryshimeve në modelet e tregtisë së energjisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat