Shqipëria Postuar më 5 Maj 2026, 11:08

Riformatohet tregu i pagesave në Shqipëri - Me hyrjen në BE, rregulla të reja për licencimin e institucioneve të pagesave

Nga Ledina Elezi

Riformatohet tregu i pagesave në Shqipëri - Me hyrjen në BE,

Me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian pritet të ndryshojnë edhe kushtet që duhet të plotësojnë subjektet për t’u licencuar si institucion pagesash apo paraje elektronike në vend.

Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik një projektligj për ndryshime në ligjin e shërbimeve të pagesave. Kur Shqipëria të jetë shtet anëtar, për t’u licencuar si institucion pagesash, subjekti duhet të ketë një kapital fillestar prej 20,000 euro, 50,000 euro apo 125,000 euro në varësi të llojit të shërbimit të pagesave.

Gjithashtu, pas anëtarësimit në BE parashikohet e drejta e Bankës së Shqipërisë, që në rolin e autoritetit përgjegjës të shtetit anëtar të origjinës, t’i japë licencën subjektit që aplikon për licencim si institucion pagesash, vetëm nëse ky subjekt është i regjistruar dhe ka zyrën qendrore në territorin e Shqipërisë dhe do të kryejë të paktën një pjesë të veprimtarisë të shërbimeve të pagesave brenda territorit tonë.

Kërkesa për regjistrim dhe seli qendrore në Shqipëri, si dhe për kryerjen e një pjese të veprimtarisë brenda territorit të vendit, synon të mbrojë përdoruesit lokalë, të përmirësojë transparencën dhe të sigurojë zbatimin e ligjit brenda juridiksionit shqiptar. Licenca e dhënë nga Banka jonë Qendrore do të lejojë ofrimin e shërbimeve të pagesave në të gjithë Bashkimin Evropian sipas rregullave të lirisë së ofrimit të shërbimeve dhe të drejtës së vendosjes (passporting).

Në regjistrin publik të mbajtur nga Banka e Shqipërisë do të përfshihen edhe degët e institucioneve të pagesave dhe të parasë elektronike që ofrojnë shërbime pagesash ose shërbime të parasë elektronike, në një shtet anëtar ose në një vend të tretë. Dhe po ashtu në regjistrin e Autoritetit Bankar Evropian, Banka e Shqipërisë duhet të raportojë mbi licencimin apo regjistrimin e subjekteve të reja, shfuqizimet e licencave apo regjistrimeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat