Shqipëria Postuar më 18 Qershor 2025, 13:59

Kontrata për shit-blerjen e energjisë - Organizatat e biznesit, letër ERE-s: Propozime për parashikimin e prodhimit dhe disbalancat

Nga Ola Mitre

Kontrata për shit-blerjen e energjisë - Organizatat e biznesit,

Katër nga organizatat më të rëndësishme të biznesit në vend, i janë drejtuar zyrtarisht Entit Rregullator të Energjisë me një letër, ku paraqesin propozime konkrete për ndryshimet në kontratën e shitblerjes së energjisë midis Prodhuesve Privatë dhe Furnizuesit të Tregut të Lirë.

Propozimet e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme (AREA), Shoqatës së Investitorëve të Huaj (FIAA), Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania, vijnë pas draft kontratës të propozuar nga Furnizuesi i Tregut të Lirë e të nxjerrë për konsultim nga ERE, ndërsa theksojnë se aktualisht ka boshllëqe në marrëdhëniet kontraktore, të cilat sipas tyre krijojnë pasiguri ligjore dhe financiare për prodhuesit e energjisë.

Një nga kërkesat kryesore është që kontrata të parashikojë edhe dërgimin e informacionit të prodhuesve për energjinë orare të prodhuar në ditën D+1, në mënyrë që prodhuesit të krijojnë një databazë të saktë si bazë për një analizë dhe parashikim sa më të saktë të prodhimit. Sipas tyre, parashikimi duhet të dërgohet brenda datës 30 tetor që përputhet me mbylljen e vitit hidrik, dhe jo brenda 1 gushtit, që është propozimi i FTL-së. Po ashtu, theksohet mungesa e adresimit të qartë të disbalancave në rrjet gjatë ndëprerjeve të energjisë, që çojnë në humbje për prodhuesit. Për këtë, kërkohet që disbursimi i pagesave të energjisë së humbur të mos mbetet jashtë vëmendjes së ERE-s.

Sipas FTL-së, ndryshimet e kontratës janë të domosdoshme për shkak të zhvillimeve në tregun e energjisë, problemeve të hasura gjatë zbatimit të kontratës aktuale, si dhe nevojës për përshtatje me praktikat më të mira të industrisë. Po ashtu, ndryshimet e propozuara nevojiten për shkak të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin për auditimin e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë të datës 31.07.2023, për të përmirësuar kushtet e kontratave me Prodhuesit me Përparësi të Energjisë.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat