Shqipëria Postuar më 21 Tetor 2025, 13:26

“Kodi zgjedhor të adresojë çështjet kyçe” - Celibashi: Rregulla për financimin e partive nga palët e treta

Nga Fabjona Pasho

“Kodi zgjedhor të adresojë çështjet

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kërkon që reforma zgjedhore të adresojë disa çështje kyçe, duke nisur nga financimi i partive politike dhe subjekteve zgjedhore nga palët e treta, ndërsa theksoi se duhet të vendoset nëse do zgjerohet votimi elektronik.

“Në kuadër të organizimit dhe funksionimit të partive politike dhe financimi të fushatave zgjedhore të partive politike ngelet që të shikojmë se çfarë do të duhet të bëjmë me financimin e palëve të treta që angazhohen dhe mbështesin subjekte të caktuara politike. Duhet rregulluar ky aspekt.  Nuk ka asgjë për sa i përket rrjeteve sociale, fushatës online apo përmes internetit etj”, tha Celibashi

Një tjetër aspekt i sjellë në vëmendje nga Celibashi është ai që ka të bëjë me garantimin e mundësisë për të votuar për personat në pamundësi për të dalë nga banesa.

“Duhet të zgjidhim çështjen e votuesve që nuk mund ta ushtrojnë këtë të drejtë. Kanë të drejtën e votës por nuk mund të dalin nga banesa për arsye shëndetësore. Kjo është e papranueshme sidomos tani kur ne ia çojmë fletën e votimit edhe shqiptarëve në Australi, ndërsa ata që e kanë shtëpinë e tyre sipër ose në krah të qendrës së votimit nuk votojnë dot se nuk dalin nga banesat për shkaqe shëndetësore”, tha ai.

Këto kërkesa, kryekomisioneri Celibashi i shpalosi në panelin për Reformën Zgjedhore, në Konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli I Europës dhe Komisioni I Venecias”.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat