Shqipëria Postuar më 28 Janar 2026, 13:10

“Granti i performancës thellohet në 2026-ën” - Demo: Bashkitë që performojnë më mirë do të financohen më shumë

Nga Fabjona Pasho

“Granti i performancës thellohet në 2026-ën” - Demo:

Gjatë vitit 2026, granti i performancës do të thellohet. Kështu deklaroi ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo gjatë një konference me gazetarët.  

“Granti i performancës ka qenë i financuar 50% nga partnerët tanë, nga donatorët si ambasada zvicerane dhe po ashtu edhe nga buxheti i shtetit. Janë rreth 4 milionë euro që i janë alokuar bashkive në matjen e treguesve të qartë, përgjithësisht rregullativ për sa i përket funksionimit të tyre.

Besojmë se bashkitë që performojnë më mirë, bashkitë që kërkojnë shërbime më të mira për qytetarët, patjetër duhet të kenë mundësinë që të financohen. Ndaj granti i performancës do të kthehet në një instrument motivues për vetë bashkitë për të ofruar shërbime më të mira për vetë qytetarët. Ky do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për grantin e performancës pasi do të kalojmë në matje specifike të shërbimeve që ofrohen në territor”, tha Demo.

Ministri Demo, gjithashtu foli edhe për Paketën e Maleve, për të cilën tha se interesi nga bashkitë për të përcaktuar zonat prioritare është shumë I lartë, por deri më tani vetëm 13 bashki I kanë përcaktuar.

“Paketa e Maleve ka qenë një ndër nismat që jemi duke u fokusuar shumë fort. Është shumë e qartë se cilat kategori mund të prfitojnë përmes kësaj pakete. Paketa e Maleve garanton që për rastet kur s’ka dokumentacion, kanë të drejtë të aplikojnë, duke garantuar se nuk kanë konflikte pronësie. Procesi është transparent, ndiqet në nivel vendor. Zona të caktuara në Shqipëri kanë më të theksuar fenomenin ku banorët kanë ndarë pronat në bazë të pronësive të vjetra. Banorët e kanë respektuar këtë, por nuk kanë letra. Në këto raste u lind e drejta të investojnë në këtë territor. Bashkitë përcaktojnë zonat e prioritetit. 13 bashki kanë përcaktuar 69 zona prioritare. 8 bashki të tjera janë në proces përcaktimi. Procesi që duhet të ndiqet për përcaktimin e zonave prioritare ka një proces mekanik kohor që të merr. Të gjitha bashkitë në vend jan të interesuara. Në secilën prej 69 zonave prioritare, të interesuarit aplikojnë në e-Albania, bashkia e merr aplikmin dhe çështja kalon në nivel vendor. Nëpërmjet këtij procesi nuk do të ketë konflikte.

Sot janë rreth 100 raste që do të përfundojnë me sukses. Besoj se do të arrihet patjetër 1000 raste sa u përket aplikantëve që kanë marrë pronën. 500 aplikantët e parë marrin inciativa fiskale për një periudhë 10-vjeçare”, tha Demo.

Në fjalën e tij, Demo theksoi se qeveria synon që përmes trajnimit, teknologjisë dhe mbështetjes financiare të krijojë bashki më të qëndrueshme, më transparente dhe me shërbime më cilësore për qytetarët.                                                                                         

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat