Shqipëria Postuar më 13 Gusht 2025, 12:14

Gati ndëshkimet për mallrat false në tregje - Më 16 gusht hyn në fuqi ligji, më shumë mbrojtje për bizneset dhe konsumatorët

Nga Elisabeta Dosku

Gati ndëshkimet për mallrat false në tregje - Më 16 gusht

Ligji që synon ti japë më shumë mbrojtje bizneseve të huaja dhe shqiptare që kanë të regjistruar markën, e cila u keqpërdoret, hyn në fuqi më datën 16 Gusht.

Ky ligj synon të vendosë fre mbi importuesit dhe tregtarët në Shqipëri që kanë mbushur dyqanet dhe tregjet me mallra “fallco” të cilat mbajnë emra e logo të njohura ndërkombëtare dhe shiten me çmime te lira por herë pas here edhe me çmime të kripura duke mashtruar konsumatorët.

Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve

Shpesh herë, qytetarët shqiptarë dhe turistë të huaj kanë rënë pre’ e mashtrimeve duke menduar se blejnë një markë, por në fakt blejnë një mall me cilësi të dobët, nga një tregtar që ka dëmtuar të drejtat e pronësisë mbi kompaninë mëmë.

Ligji i ri u jep të drejtë pronarëve të markave që cenohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë.

Po ashtu,  përcakton në mënyrë më të detajuar masat që merren në rast të shkeljeve të të drejtave që rrjedhin nga markat, si ndalimin e mallrave ose shërbimeve që shkelin të drejtat e markës tregtare, heqjen ose bllokimin nga qarkullimi civil të mallrave ose shërbimeve cenuese, deri tek materialet, pajisjet dhe mjetet e përdorura për krijimin ose prodhimin e këtyre mallrave ose shërbimeve cenuese.

Në ligj  është trajtuar edhe shpërblimi i dëmeve për pronarëve e markave të mëparshme nga shkeljet dhe përpjekjet e shkelësve që abuzojnë duke përdorur pa autorizim markat e pronarëve të tjerë.  Nga ana tjetër parashikohen gjoba të kripura dhe dënime penale për abuzuesit.

Ndërkohë,  ndërgjegjësimi  për të “siguruar” emrin ndaj çdo imitimi apo vjedhjeje është rritur ndjeshëm edhe tek bizneset shqiptare. Në vitin 2024, Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, janë depozituar 1575 aplikime për regjistrim marke.  

Një shifër kjo, më e larta të paktën në 4 vitet e fundit dhe me rritje prej 16.8 % krahasuar me një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat