Shqipëria Postuar më 2 Mars 2026, 11:49

Fatkeqësitë natyrore “testojnë” financat publike/ Shoqata e Siguruesve: Shteti mban barrën kryesore. Shkak, mungesa e kulturës së sigurimit

Nga Ledina Elezi

Fatkeqësitë natyrore “testojnë” financat publike/

Rritja e fatkeqësive natyrore dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh i ekonomisë shqiptare ndaj tyre po rikthen në vëmendje nevojën për një model të ri mbrojtjeje financiare. Nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë theksohet se ndryshimet klimatike, urbanizimi i shpejtë dhe rritja e vlerës së pronave kanë shtuar ndjeshëm rrezikun për qytetarët dhe bizneset, ndërsa niveli i sigurimit të pronës në vend mbetet i ulët.

Në këtë kuadër, një dokument strategjik i Bordit Këshillimor të Risigurimeve pranë Agjencisë Evropiane të Sigurimeve nënvizon se boshllëku i mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore duhet të mbyllet duke forcuar tregun privat të sigurimeve dhe risigurimeve, jo duke e zëvendësuar atë me skema shtetërore të centralizuara. Sipas analizës, tregu privat ka kapital dhe ekspertizë për të përballuar riskun, por pengesa kryesore mbetet mungesa e kërkesës për sigurim dhe pritshmëria e përhapur se shteti do të ndërhyjë gjithmonë për të kompensuar dëmet.

Ekspertët rendisin disa arsye pse kultura e sigurimit në Shqipëri mbetet e ulët: niveli i kufizuar i edukimit financiar, të ardhurat relativisht të ulëta që i bëjnë familjet të fokusohen te shpenzimet bazë, mungesa e besimit ndaj institucioneve dhe kompanive të sigurimit, si edhe përvoja e vazhdueshme e ndërhyrjeve shtetërore pas katastrofave, që ka krijuar perceptimin se sigurimi privat nuk është i domosdoshëm.

Përvoja e tërmetit të vitit 2019 tregoi se, kur sigurimi është i kufizuar, barra financiare bie kryesisht mbi buxhetin e shtetit dhe donacionet ndërkombëtare, duke krijuar presione fiskale afatgjata dhe duke ngadalësuar rimëkëmbjen ekonomike.

Për Shqipërinë, rekomandimet përfshijnë rritjen e penetrimit të sigurimit të pronës, integrimin e tij në kreditë hipotekore, forcimin e edukimit financiar dhe përmirësimin e standardeve të ndërtimit. Një treg sigurimesh më i fortë, theksojnë ekspertët, do të ulte ndjeshëm barrën mbi financat publike dhe do të rriste qëndrueshmërinë e ekonomisë përballë goditjeve të ardhshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat