Shqipëria Postuar më 29 Janar 2026, 14:39

Energjia, reformë tarifave e centrale të rinj — 2026-2028/ Program për varfërinë energjetike, 600 MW kapacitete të reja

Nga Ola Mitre

Energjia, reformë tarifave e centrale të rinj — 2026-2028/

Shtylla e tranzicionit energjetik, e parashikuar në Programin e Reformave Ekonomike 2026– 2028 synon transformimin e sektorit, duke parashikuar një sërë ndërhyrjesh për të balancuar nevojat për eficiencë tregu, siguri energjetike dhe mbrojtje sociale.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme është krijimi i tregut brenda ditës për energjinë elektrike, çka pritet të përmirësojë funksionimin e tregut dhe të forcojë kapacitetet institucionale të aktorëve që marrin pjesë në të. Aktualisht, ky treg operohet nga ALPEX, por volumet e energjisë së tregtuar janë shumë të vogla.  Lidhja e tregut shqiptar me vendet fqinje dhe me tregun e BE-së cilësohet si një tjetër dimension kyç i reformës.

Ndërkohë, reformat e tarifimit dhe kujdesi ndaj konsumatorëve vulnerabël zënë një vend qendror në proces. Tarifat do të vijojnë të rregullohen drejt niveleve të bazuara te tregu, por duke ruajtur mbrojtjen sociale. Programet e posaçme për trajtimin e varfërisë energjetike do të jenë rinovimi i ndërtesave, pajisjet eficiencte dhe instalimet e vogla të burimeve të ripërtëritshme për ekonomitë familjare vulnerabël.

Një rol të rëndësishëm në këtë tranzicion luan edhe zhvillimi i burimeve të rinovueshme. Strategjia e re synon krijimin e një sistemi transparent ankandesh, që do të japin sinjale të qarta për investime dhe do të sigurojnë eficiencë të kostos. Plani i ankandit për të paktën 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme është projektuar për t’iu përshtatur zhvillimit të rrjetit dhe pjekurisë së tregut. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme, ky investim përfaqëson rreth 914 milionë euro, ndërsa ndikimi ekonomik gjatë periudhës së parë të zbatimit do të jetë i ndjeshëm. Kapacitetet shtesë synojnë të vendosen mes viteve 2026–2027, duke u konsideruar si një nga shtysat më të rëndësishme makroekonomike.

Ndërkohë, reformat për eficiencën energjetike synojnë të adresojnë sfidat më të mëdha të sektorit, veçanërisht nevojën për rinovimin e ndërtesave publike e private. Plani Kombëtar i Rinovimit parashikon investime prej 117 milionë euro, ndërsa objektivi vjetor për rinovimin e ndërtesave është vendosur në 3%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat