Shqipëria Postuar më 13 Tetor 2025, 10:48

Digjitalizimi i transportit ndërqytetas - eTransport, 52.000 përdorues aktivë në një vit

Nga Ernilda Luzi

Digjitalizimi i transportit ndërqytetas - eTransport, 52.000 përdorues

Platforma zyrtare digjitale për shërbimet e transportit ndërqytetas në Shqipëri, eTransport, po njeh një rritje të vazhdueshme të përdorimit nga qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare, për periudhën janar- gusht 2025 janë regjistruar mbi 41 mijë përdorues aktivë, ndërsa janë shfletuar plot 286 mijë faqe, një tregues i qartë i rritjes së interesit të qytetarëve për këtë shërbim.

Në një kohë kur digjitalizimi i shërbimeve publike po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, vetëm gjatë muajit gusht, 11.219 përdorues kanë qenë aktivë në këtë  platformë, duke gjeneruar mbi 75 mijë faqe të shfletuara.

Ndërsa, në 12 muajt e fundit numri total i përdoruesve aktivë ka arritur në 52 mijë dhe 29 mijë prej tyre janë regjistruar vetëm në 90 ditët e fundit.

Rritja është e ndjeshme edhe nga muaji në muaj. Në qershor, u shënua një rritje prej 86.2% krahasuar me muajin maj; në korrik u shënua një tjetër rritje prej 34.8%; dhe në gusht +11.8% krahasuar me muajin paraardhës.

Platforma zyrtare digjitale eTransport është një platformë bashkëveprimi midis udhëtarit, shoqërive të transportit, agjencive të transportit dhe terminaleve e stacioneve kombëtare shqiptare, për shërbimet e transportit ndërqytetas në Shqipëri. 

eTransport ofron informacione të përditësuara për linjat, oraret, stacionet dhe rezervimet elektronike, në shqip dhe në anglisht përmes vetëm një kërkimi me anë të celularit, duke mundësuar udhëtime më të sigurta, transparente dhe komode për qytetarët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat