Shqipëria Postuar më 16 Shtator 2025, 15:21

Dhe sa duhet të presim për të hyrë në BE? - Hapja e kapitujve me Shqipërinë, më e shpejtë se me çdo vend tjetër të rajonit

Nga Ledina Elezi

Dhe sa duhet të presim për të hyrë në BE? - Hapja e

Procesi i negociatave me Shqipërinë po zhvillohet më shpejt se me çdo vend tjetër të rajonit, pasi në një kohë tepër të shkurtër kemi arritur të hapim një numër të madh kapitujsh.

Por a do i mbyllë Shqipëria negociatat me BE deri në 2027 ashtu siç kanë deklaruar Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe Kryeministri Edi Rama?

Ky është një objektiv shumë ambicioz, sepse anëtarësimi në BE varet nga shumë faktorë. Fillimisht, sa përparon Shqipëria me realizimin e reformave dhe përmbushjen e detyrave të tjera të caktuara nga Bashkimi Evropian. Së dyti, shtetet anëtare mund t’i rikthehen inateve të vjetra dhe e shohin këtë moment si rastin më të mirë për të bllokuar procesin e anëtarësimit (kjo ndodhi dy herë me Maqedoninë e Veriut, një herë për çështjen e emrit me Greqinë dhe një herë për çështjen e minoriteteve me Bullgarinë). Së treti, sa gati është Bashkimi Evropian të përthithë shtete të reja në gjirin e saj (megjithëse BE ka deklaruar se është pro zgjerimit momentalisht, ka disa shtete që thonë se BE nuk është gati për të pranuar anëtarë të rinj dhe ka nevojë të reformohet. Së katërti, gjithçka varet nga ndryshimet e kontekstit gjeopolitik, ku lufta në Ukrainë e ndihmoi këtë të fundit që të hapte menjëherë negociatat dhe e njëjta gjë ndodhi me ndikimin rus në Moldavi.

Që prej mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare në 2022, Shqipëria ka hapur 5 grupkapituj, ndërsa i mbetet edhe një për t'u hapur deri në fund të këtij viti. Kjo do të thotë se vetëm në një hark kohor prej 3 vitesh, Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt.

Në 2014, Serbia mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe që atëherë ka hapur vetëm 22 nga 35 kapituj, ndërsa ka mbyllur vetëm dy. Mali i Zi është më përpara Shqipërisë ku që prej 2021 janë hapur të gjithë kapitujt dhe 7 janë mbyllur. Megjithatë, procesi i hapjes së kapitujve për Malin e Zi ka qenë më i ngadaltë dhe është zhvilluar në një hark kohor prej afro 8 vitesh.

Edhe pse Konferenca e Parë Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut u mbajt në të njëjtën kohë me Shqipërinë, në 2022, procesi i negociatave të Maqedonisë së Veriut ka ngecur fillimisht për shkak të problemeve me Greqinë dhe tashmë me Bullgarinë. Si rrjedhojë, Maqedonia e Veriut nuk ka hapur asnjë grupkapitull deri më tani.

Ndërkohë, për Bosnje dhe Hercegovinën, BE vendosi hapjen e negociatave gjatë vitit të kaluar, por nuk është mbajtur akoma Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Kosova është në vendnumëro, ndërsa për Ukrainën dhe Moldavinë u zhvillua Konferenca e Parë Ndërqeveritare në 2024.

Me çeljen e negociatave për grupkapitullin 4 mbi Agjendën e Gjelbër dhe Lidhjen e Qëndrueshme, Shqipërisë i mbetet vetëm një grupkapitull për të hapur, ai për Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin, hapja e negociatave të të cilit do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Por çfarë mendimi kanë ekspertët mbi grupkapitullin e sapohapur?

Sot është një ditë mjaft e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi kemi çeljen e grupkapitullit të katërt, agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme.  Në përmbajtje të këtij grupkapitulli ka katër kapituj të cilët kanë të bëjnë me politikën e transportit, energjinë, rrjetin transevropian, mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ky grupkapitull është mjaft i rëndësishëm për ne,  sepse do të sjellë ndryshime rrënjësore të vendit tonë, por mbi të gjitha sepse impakton në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve. Gjithashtu ka një rëndësi,  sepse do të jetë edhe aftësia jonë për të përthithur më shumë fonde tashmë që ky grupkapitull është hapur”, u shpreh Ekspertja e Integrimit Evropian, Lorela Alia.

Grupkapitulli 1 “Themelorët” ose i quajtur ndryshe “Bazat e Anëtarësimit” është ai që u hap i pari dhe ai që do të mbyllet i fundit. Ai konsiderohet shumë i vështirë për arsye të problematikave që çdo shtet ka me sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Megjithatë, Shqipëria ka një avantazh në këtë grupkapitull, për shkak të realizimit të reformës në drejtësi përpara hapjes së negociatave, aksion i cili është vlerësuar shumë nga Bashkimi Evropian.

Grupkapitulli 6 vlerësohet si më i thjeshti, pasi përbëhet vetëm nga 2 kapituj, megjithatë Bashkimi Evropian ka vendosur 3 piketa mbyllëse të cilat mund të jenë të vështira për t'u përmbushur nga ana e Shqipërisë. Një prej piketave i kërkon Shqipërisë të respektojë Traktatin e Romës që krijoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe ku vendi ynë është palë nënshkruese. Ky traktat i kërkon palëve nënshkruese që të dorëzojnë personat që kryejnë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocide, pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Problemi qëndron në faktin se Shqipëria ka edhe një marrëveshje dyplaëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndalon dorëzimin e qytetarëve amerikanë pranë kësaj gjykate.

Po grupkapitulli i sapohapur, sa i vështirë do të jetë për Shqipërinë?

“Përafrimi i legjislacionit me  atë të Bashkimit Evropian, sigurisht do të jetë një sfidë për këtë grupkapitull.

Megjithatë nuk do të jetë sfida më e rëndësishme,  pasi sfida më e madhe do të jetë përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian.  Dhe sigurisht ky përafrim me standartet e Bashkimit Evropian, kërkon miliarda euro investime dhe sigurisht ekspertizë të lartë për këtë grupkapitull. Gjithashtu, një sfidë tjetër në lidhje me këtë grupkapitull ka të bëjë edhe me përthithjen,  aftësinë tonë në fakt për të përthithur fonde nga Bashkimi Evropian për projekte që lidhen me këtë grupkapitull.

 Dhe sigurisht këtu ndërlidhet edhe një problematikë tjetër dhe një sfidë e madhe për ne,  që është në lidhje me korrupsionin dhe në lidhje me shpërdorimin e fondeve.  Pra, kjo do të rrisë skepticizmin e vendeve të Bashkimit Evropian për të financuar projektet në kuadër të këtij grupkapitulli.  Megjithatë, këto janë sfidat e përgjithshme të këtij grupkapitulli, në qoftë se do të futemi më në brendësi të kapitujve,  atëherë do të kuptojmë më shumë se çfarë avancimi kemi ne për secilin kapitull.

Kapitulli mbi energjinë është kapitulli më i avancuar ku edhe sipas Komisionit Europian tregon që Shqipëria ka një përgatitje mesatare dhe merr notën 3.5 nga 5, ndërkohë që 3 kapitujt e tjerë të cilët lidhen me transportin, mjedisin dhe rrjetin transevropian kanë më tepër problematika, Shqipëria ka njëfarë përgatitje dhe merr notën 2 nga 5. Gjithashtu për sa i përket periudhës kohore 2020-2024,  Shqipëria ka pasur një progres të kufizuar dhe ky progres i kufizuar në qoftë se do vazhdojë në ritme të njëjta edhe në vazhdimësi do të jetë një sfidë shumë e madhe për ta përmbyllur këtë grupkapitull në vitin 2027, siç është edhe objektivi i qeverisë shqiptare.

Sfidat më konkrete të këtyre tre kapitujve më pak të avancuar për sa i përket procesit të integrimit, kanë të bëjnë me mosmiratimin e Strategjisë Kombëtare të Transportit,  gjithashtu edhe Planit të Sigurisë Rrugore. Një problematikë tjetër i cili lidhet me zonat e mbrojtura, ligji numër 81, i cili ka pasur ndryshime në vitin 2024,  është cilësuar nga Komisioni Evropian si një hap negativ për Shqipërinë. Gjithashtu, të tjera problematika lidhen me kapitullin e mjedisit, të cilat kanë të bëjnë me mostrajtimin e mbetjeve dhe me problematikat e ujërave të ndotura, gjithashtu me ndotjen e ajrit, e të tjerë e të tjerë.

Të gjitha këto tregojnë se sa sfidues do të jetë dhe sa teknik do të jetë ky grupkapitull në lidhje me përmbylljen më pas të këtij grupkapitulli.  Të mos harrojmë që pjesa e parë është e skanimit të Bashkimit Evropian, ka lidhje me përafrimin e legislacionit, pra bëhet një skanim i thellë i kësaj pjese,  por më pas ai gjithashtu do të vëzhgojë dhe do të skanojë në mënyrë të detajuar edhe atë çfarë është bërë në terren  në mënyrë konkrete.  Dhe në qoftë se Shqipëria nuk i ka arritur standardet, por ka përafruar vetëm legjislacionin,  atëherë sigurisht përmbyllja do të jetë mjaft e vështirë.

Ky grupkapitull, në krahasim me grupkapitujt e tjerë në fakt është më pak voluminoz, por ndërkohë që është më teknik dhe sigurisht do ketë shumë vështirësi sepse në fakt, në qoftë se do t'i krahasonim në total me të gjithë grupkapitujt e tjerë, ky grupkapitull ka 3 kapituj të cilët marrin notën 2 nga 5  dhe kanë njëfarë përgatitje dhe kanë një avancim të ngadalshëm për sa i përket procesit të integrimit, kështu në krahasim me të tjerët patjetër që do të jetë më sfidues dhe këtu do të varet edhe aftësia e grupit tonë negociues për të negociuar afatet kohore”, tha Ekspertja.

Në vendin tonë ekziston një vullnet shumë i madh politik dhe popullor për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Vullneti politik është kyç për të çuar përpara procesin e integrimit, ndërsa ai popullor konfirmon dëshirën e madhe të shqiptarëve për t'u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Në vende si Serbia, përveç shumë arsyeve të tjera, ka një mungesë të madhe të vullnetit politik dhe popullor, të cilat kanë bërë që procesi i negociatave të mbetet prej vitesh në vendnumëro.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat