Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2025, 12:00

Bypass-i i Tiranës, tenderët mbyllen pa ankesa - Fondi limit 6 mld lekë, segmenti synon lidhjen e dy autostradave pa hyrë në kryeqytet

Nga Ola Mitre

Bypass-i i Tiranës, tenderët mbyllen pa ankesa - Fondi limit 6 mld

Tenderët për ndërtimin e bypass-it të Tiranës janë mbyllur pa ankesa, duke i hapur rrugë shqyrtimit të ofertave dhe përzgjedhjes së kompanive që do të kryejë punimet. 2 procedurat e prokurimit publik u hapën në muajin qershor të këtij viti, teksa operatorët ekonomikë kishin afat deri në 28 korrik për dorëzimin e dokumentacionit.

Fondi total i vënë në dispozicion për 2 tenderët është 6 mld lekë, ndërsa kontratat përfshijnë ndërtimin e rrugës Kashar - Nyja Vaqarr Faza I dhe II, që përbëjnë 8.5 km, nga 21.6 km që është në total bypass-i i Tiranës.

Ky është prej projekteve më të rëndësishme rrugore në vend, pasi synon të lidhë drejtpërdrejt autostradën Durrës – Tiranë me atë Tiranë – Elbasan, duke shmangur hyrjen në kryeqytet.

Kjo rrugë do të përshkojë pjesën jugore, jugperëndimore dhe perëndimore të Tiranës, duke filluar pranë Qendrës Tregtare City Park në Kashar dhe duke përfunduar në Mullet, në kryqëzim me autostradën Tiranë–Elbasan. Traseja do të ketë dy korsi në secilën drejtim, një gjerësi prej 10.5 metrash dhe do të lejojë shpejtësi deri në 120 km/h.

Përtej ndikimit në qarkullim, bypass-i pritet të sjellë edhe përfitime mjedisore dhe urbane. Kjo pasi, duke shmangur kalimin e trafikut të rëndë përmes Tiranës, pritet të reduktohet ndjeshëm ndotja, trafiku i brendshëm dhe aksidentet në rrugët urbane të kryeqytetit.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat