Shqipëria Postuar më 18 Shtator 2025, 12:33

Bypass-i i Sarandës, shpallet fituesi, 1.77 mld lekë për fazën I të ndërtimit, lehtëson trafikun në sezonin turistik

Nga Ola Mitre

Bypass-i i Sarandës, shpallet fituesi, 1.77 mld lekë për

Me një ofertë prej rreth 1.77 mld lekë, kompania “Gjoka Konstruksion” është shpallur fituese për ndërtimin e bypass-it të Sarandës. Në garë morën pjesë edhe 5 kompani të tjera, që u skualifikuan me argumentin se nuk përmbushnin kriteret e veçanta të kualifikimit, të përcaktuara në Dokumentet Standarde të Tenderit.

Procedura e prokurimit publik për ndërtimin e bypassit të Sarandës, me fond limit 2 mld lekë, u hap në muajin korrik dhe përfshin fazën e parë të projektit, ndërkohë që për përfundimin e plotë të rrugës do të nevojitet edhe një procedurë e dytë që parashikohet të ketë një fond limit prej 833 mln lekësh.

Referuar projektit, rruga do ketë gjatësi rreth 3.5 km dhe shtrihet në një terren kodrinor deri pranë lumit të Bistricës, ku është parashikuar ndërtimi i një ure rreth 70 metra të gjatë. Më tej, vazhdon në terren fushor dhe përfundon me një tjetër nyje në aksin nacional Kardhiq–Delvinë. Rruga do të ketë shpejtësi të lejuar 60 km/orë, ndërsa do jetë e kategorisë interurbane C2, me nga një korsi 3.5 metra dhe bankina sigurie në të dyja anët.

Përfundimi i këtij projekt rrugor pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve në hyrje dhe dalje të qytetit të Sarandës, sidomos gjatë sezonit turistik. Studimi i trafikut i zhvilluar nga konsulentët tregon se gjatë periudhës së verës, në hyrje dhe dalje të qytetit qarkullojnë mesatarisht rreth 25 000 automjete në ditë, duke e kthyer Qafën e Gjashtës në një pikë problematike në drejtim të qarkullimit të automjeteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat