Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 10:19

Blerja e mallrave, si do mbrohen konsumatorët? - Projektligji/ Masa administrative për tregtarët deri në 6 mijë euro

Nga Elisabeta Dosku

Blerja e mallrave, si do mbrohen konsumatorët? - Projektligji/ Masa

Konsumtarorët shqiptarët do të jenë më të mbrojtur sa i takon blerjeve të produkteve të ndryshme, duke pasur më shumë të drejta në raport me tregtarët.

Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin ”Për mbrojtjen e konsumatorit”  i cili është në harmonizim të plotë me direktivat e Bashkimit Europian.

Qëllimi themelor i projektligjit është të sigurojë një nivel të lartë mbrojtjeje për konsumatorët shqiptarë, duke vendosur garanci të qarta për transparencën kontraktore, informimin para-kontraktor dhe të drejtën për heqje dorë dhe dispozita të reja për riparimin e qartësimin e të drejtave të konsumatorëve përpara dhe pas lidhjes së kontratës, përfshirë informacionin e detyrueshëm, të drejtën për tërheqje dhe kufijtë e kësaj të drejte.

Projektiligji adreson rregullimin e situatave specifike si: mospërputhshmëria e mallrave, vonesa në dorëzim, kalimi i rrezikut, pretendimet mjedisore, nxitjet psikologjike në platformat digjitale (dark patterns), dhe përdorimi i ndërfaqeve manipuluese.

Gjithashtu, rregullon të drejtën e konsumatorit për të hequr dorë nga kontrata, garantimin e transparencës në informacionin për çmimet dhe karakteristikat e produkteve dhe shërbimeve. Parashikohen gjithashtu dispozita për kontratat e shitjes së mallrave dhe për furnizimin me përmbajtje dhe shërbime digjitale, ku përcaktohen edhe mjetet për të drejtën për riparim, zëvendësim, ulje çmimi apo zgjidhje të kontratës.

Masat administrative që vendosen nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili është institucioni kyç për zbatimin e këtij projektligji variojnë nga 3 mijë deri në 6 mijë euro,  në rast se ka ankesa dhe pretendime, si dhe jepet e drejta e dëmshpërblimit.

Efektet e pritshme të projektligjit janë pozitive dhe shumëplanëshe. Në afat të shkurtër pritet rritje e transparencës në marrëdhëniet kontraktore dhe përmirësim i praktikave tregtare. Në afat të mesëm, projektligji pritet të rrisë besimin e konsumatorëve, të fuqizojë vendimmarrjen e tyre dhe të nxitet konkurrenca e ndershme në treg.

Në afat të gjatë, dispozitat për konsum të qëndrueshëm dhe të drejtën për riparim parashikohet të ndikojnë në reduktimin e mbetjeve, zgjatjen e ciklit jetësor të produkteve dhe përmbushjen e objektivave të politikave mjedisore të BE-së.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat