Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2026, 15:41

BE monitoron projektin në Zvërnec, Kos: Standardet e mjedisit duhet të zbatohen plotësisht

Nga Edel Strazimiri

BE monitoron projektin në Zvërnec, Kos: Standardet e mjedisit duhet

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin administrativ të dokumentuar lidhur me projektin në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke ndarë në rrjetet sociale deklaratën e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.

Sipas Ramës, deklarata e komisioneres përmban një qasje të bazuar në fakte dhe qartëson qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi projektin dhe standardet mjedisore që duhet të respektohen.

Në një deklaratë për shtyp nga Brukseli, Kos vlerësoi Shqipërinë si një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar përparimin e rëndësishëm të vendit në mbrojtjen e mjedisit.

Komisionerja bëri të ditur se Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me projektin në zonën Pishporo-Nartë.

Sipas saj, çdo projekt në zhvillim në Shqipëri duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit, i cili lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Kos theksoi se përpara mbylljes së këtij kapitulli, e planifikuar aktualisht deri në fund të vitit 2027, çështjet e lidhura me projektin duhet të sqarohen plotësisht.

Ajo konfirmoi se Komisioni Evropian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane do të respektohen.

“Procesi i anëtarësimit është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit të vazhdueshëm. Kjo përbën garancinë më të fortë për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit në Shqipëri”, u shpreh komisionerja.

Kos vlerësoi gjithashtu respektimin e së drejtës për të protestuar në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një të drejtë themelore të vendeve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Komisionerja nënvizoi se Bashkimi Evropian do të vijojë të monitorojë përmbushjen e standardeve mjedisore, ndërsa inkurajoi autoritetet shqiptare të vazhdojnë reformat në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat