Shqipëria Postuar më 2 Gusht 2025, 11:56

Administrimi i banesave kolektive – Çfarë risish sjell ligji i ri për bashkëpronësinë?

Nga Edel Strazimiri

Administrimi i banesave kolektive – Çfarë risish sjell ligji i

Ligji i ri sjell një qasje të detyrueshme dhe të organizuar për administrimin e pallateve, duke i dhënë fund situatës ku shumë ndërtesa ishin të pambuluara nga ndonjë formë menaxhimi. Risia kryesore është se çdo ndërtesë me më shumë se një pronar duhet të ketë një administrator, individ ose shoqëri e certifikuar nga bashkia dhe një strukturë funksionale të bashkëpronësisë.

Sipas ligjit, tashmë çdo hapësirë e përbashkët si shkallët, ashensorët, bodrumet, fasadat apo tarracat, do të regjistrohen si pasuri në bashkëpronësi në dokumentacionin kadastral, duke i dhënë fund abuzimeve dhe interpretimeve të ndryshme mbi pronësinë.

Ligji parashtron përgjegjësitë e administratorit që do të ketë rol të qartë dhe detyrime ligjore, duke përfshirë:

• Mirëmbajtjen dhe riparimet;

• Pastrimin dhe kontratat me furnitorë;

• Mbledhjen e kuotave mujore të banorëve;

• Përfaqësimin ligjor të pallatit dhe raportimin vjetor të shpenzimeve.

Kontrata me administratorin do të ketë afat minimal prej tre vitesh, për të siguruar stabilitet dhe shmangur rotacionet e shpeshta për motive personale.

Ligji përcakton gjithashtu krijimin e asamblesë së bashkëpronarëve, me kompetenca për të vendosur me shumicë votash për çështje të rëndësishme si buxheti, punimet e mëdha, apo edhe shkarkimi i administratorit në rast mosfunksionimi.

Po ashtu, për herë të parë, shoqëritë ndërtuese janë të detyruara ligjërisht të administrojnë ndërtesën deri në momentin e dorëzimit përfundimtar të pronës dhe dhënies së certifikatës së shfrytëzimit. Ato duhet të përfshijnë në kontratat e shitjes edhe aktin e bashkëpronësisë dhe rregulloren e administrimit, dokumente që regjistrohen në Kadastër.

Një tjetër element i rëndësishëm i ligjit është roli i bashkive, të cilat do të:

• Certifikojnë administratorët;

• Mbikëqyrin procesin e administrimit;

• Mbajnë dhe përditësojnë “librin e bashkëpronësisë”;

• Vendosin gjoba në rast shkeljesh që dëmtojnë jetesën kolektive.

Të gjitha të dhënat e bashkëpronësisë do të jenë të aksesueshme përmes platformës e-Albania, duke rritur transparencën dhe ulur burokracinë.

Ky ligj i ri synon të forcojë bashkëjetesën urbane, të mbrojë vlerën e pronës së përbashkët dhe të sigurojë cilësi më të mirë jetese për qytetarët. Ai shënon një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të jetës në komunitet dhe krijimit të një kulture të re qytetarie në ndërtesat kolektive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat