Bota Postuar më 2 Gusht 2025, 11:33

India tejkalon Kinën në tregun e komunikacionit - Bëhet eksportuesi më i madh i telefonave inteligjentë në SHBA

Nga Kristi Ceta

India tejkalon Kinën në tregun e komunikacionit - Bëhet

India ka kaluar Kinën për herë të parë si eksportuesi kryesor i telefonave “smart” në tregun amerikan, sipas një raporti të publikuar nga firma kërkimore Canalys. Të dhënat tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2024, 44% e importeve të telefonave në SHBA ishin pajisje të prodhuara në Indi, një rritje e jashtëzakonshme nga vetëm 13% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vëllimi total i telefonave inteligjentë të prodhuar në Indi u rrit me 240% në raport me një vit më parë.

Në të njëjtën kohë, pjesa e Kinës në eksportet e telefonave drejt SHBA-së ra nga 61% në 25%, ndërsa Vietnami zuri vendin e dytë me 30%.

Rritja masive e dërgesave nga India u nxit kryesisht falë strategjisë së Apple për të zhvendosur prodhimin nga Kina në Indi, në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Pekinit janë tensionuar për shkak të tarifave dhe pasigurisë politike. Apple ka përshpejtuar planin për të prodhuar një pjesë të konsiderueshme të iPhone-ve për tregun amerikan në Indi dhe synon që brenda disa viteve të prodhojë aty rreth 25% të gjithë telefonave të kompanisë.

Trump e ka kërcënuar Apple me tarifa shtesë dhe i ka kërkuar të prodhojë iPhone brenda SHBA-së. Por sipas ekspertëve, kjo do të ishte pothuajse e pamundur, pasi do të rriste ndjeshëm çmimet.

Ndërkohë, edhe kompani të tjera teknologjike si Samsung dhe Motorola kanë filluar të zhvendosin prodhimin e pajisjeve të tyre drejt Indisë, megjithëse në një shkallë më të kufizuar dhe me ritme më të ngadalta krahasuar me Apple. Përveç kompanive të mëdha, prodhues të tjerë elektronikë globalë kanë filluar të investojnë në fabrika në Indi për të përmbushur kërkesat e tregut amerikan.

Kompania Agilian Technology me bazë në Guangdong të Kinës njoftoi se po rinovon një fabrikë në Indi dhe planifikon të fillojë prodhimin pilot së shpejti. Megjithatë, disa sfida teknike mbeten, pasi efikasiteti i prodhimit në Indi dhe Vietnam është më i ulët krahasuar me atë në Kinë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat