Shqipëria Postuar më 9 Mars 2026, 11:39

Rama: Hekurudha Durrës-Tiranë nis operimin në fillim të vitit të ardhshëm - Elektrifikim sipas standardeve të BE

Nga SCAN TV

Rama: Hekurudha Durrës-Tiranë nis operimin në fillim të

Kryeministri Edi Rama, njëherësh, kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot gjatë takimit me grupin e parlamentar të PS se qeveria ka një plan të qartë dhe konkret për rilindjen e infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri, duke e elektrifikuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe duke e integruar në rrjetet europiane.

Sipas Kryeministrit, në gjashtë vitet e fundit është arritur të hartohen projekte konkrete për ndërtimin e 500 kilometra hekurudha, duke filluar nga linja e parë elektrike në vend. Hekurudha Durrës-Tiranë, aktualisht në ndërtim, do të ketë 12 stacione dhe pritet të nisë operimin në fillim të vitit të ardhshëm.

Projekti Vorë-Hani i Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ndodhet aktualisht në fazën e prokurimit dhe synohet të nisë vitin e ardhshëm, duke përfunduar brenda vitit 2030. Një pjesë e Koridorit VIII, linja Durrës-Rrogozhinë, do të nisë ndërtimin në fund të këtij viti dhe pritet të përfundojë në 2028, ndërsa projekti Rrogozhinë-Pogradec ndodhet në fazën e projektimit.

Në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, është përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për Hekurudhën e Kombit, me një gjatësi prej 105 km, përfshirë 14 tunele dhe 43 ura.

Ndërkohë, po shqyrtohen mundësitë për ndërtimin e dy linjave të reja hekurudhore: Vlorë-Aeroporti i Vlorës dhe Sukth-Porto Romano, si dhe planifikohet ndërtimi i linjës Durrës-Vlorë.

Kryeministri Rama theksoi se për herë të parë në këto gjashtë vite, qeveria ka një plan të detajuar dhe të realizueshëm për të rikthyer hekurudhën shqiptare në rrugën e modernizimit dhe të integrimit në rrjetet europiane, duke garantuar standarde të larta teknike dhe funksionale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat